Botë

J&J, Sinopharm e Sputnik V më pak efektive kundër Omicronit, zbulon studimi

Vaksinat kundër COVID-19 të prodhuesit amerikan Johnson & Johnson, Sinopharm të Kinës si dhe ajo Sputnik V e Rusisë, nuk kishin asnjë aktivitet neutralizues kundër variantit Omicorn të koronavirusit, sipas një studimi të fundit.

Studimi i kryer nga Humabs Biomed SA, një njësi e Vir Bioteknologjisë (VIR.O) dhe Universiteti i Uashingtonit, ndër të tjera krahasoi aktivitetin e disa vaksinave dhe trajtimeve të përdorura gjerësisht kundër COVID-19 ndaj Omicronit dhe kundër virusit origjinal, lloji i zbuluar për herë të parë në Kinë.

Vaksinat nga Moderna (MRNA.O), AstraZeneca (AZN.L), Pfizer (PFE.N) dhe partneri BioNTech ruajtën aktivitetin kundër Omicronit, ndonëse përgjigja e antitrupave u reduktua shumë kur krahasohej me sojin origjinal, zbuloi studimi.

Gjithashtu studimi gjeti se reduktimi ishte më pak i theksuar për individët e vaksinuar që ishin infektuar më parë.

Menjëherë ka reaguar Qendra Gamaleya e Rusisë, e cila lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se doza e Sputnik V u testua "qëllimisht duke përdorur mostra serumi që nuk janë përfaqësuese" dhe kështu, nuk mund të nxirren përfundime rreth efektivitetit të vaksinës kundër variantit Omicron bazuar në studim.

Fondi Rus i Investimeve Direkte ka thënë të premten se vaksina shkakton një përgjigje "të fuqishme neutralizuese" të antitrupave ndaj variantit Omicron, duke cituar një studim paraprak laboratorik nga Qendra Gamaleya.