Botë

Pritjet e gjata për ushqim dhe karburant nëpër Evropë

Nga dyqanet e pajisjeve në Shtetet e Bashkuara deri te tregjet e ushqimit në Hungari dhe pompat e benzinës në Poloni, rritja e çmimeve të konsumit të nxitur nga kostot e larta të energjisë dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, po i vënë në hall familjet dhe bizneset në mbarë botën.

Rritja e inflacionit po çon në rritje të çmimeve të ushqimeve, gazit dhe produkteve të tjera dhe i fut familjet në dilemën ndërmjet futjes së dorës thellë në xhepat e tyre ose shtrëngimit të rripit. Në ekonomitë në zhvillim, kjo situatë është veçanërisht e tmerrshme.

Hungarezët kanë vënë re se po konsumojnë më pak dhe po përpiqen të blejnë gjëra më të lira dhe më ekonomike.

Pothuajse dy vjet pas pandemisë COVID-19, ndikimi ekonomik i krizës ndihet ende edhe pasi vendet hoqën dorë nga bllokimet pandemike dhe kërkesa e konsumatorëve u rikuperua.

Tani, një tjetër rritje e infeksioneve dhe një variant i ri i koronavirusit, Omicron, po i shtyjnë vendet të shtrëngojnë kufijtë e tyre dhe të vendosin kufizime të tjera, duke kërcënuar rimëkëmbjen ekonomike globale.

Omicroni ka ngjallur frikë të re se fabrikat, portet dhe kantieret e mallrave mund të detyrohen të mbyllen përkohësisht, duke tendosur edhe më shumë tregtinë globale dhe duke i ngritur edhe më shumë çmimet.

Ekspertët kanë vlerësuar se vala e re e infeksioneve mund të përkeqësojë zinxhirët e furnizimit, duke vënë presion edhe më të lartë mbi inflacionin.

Kriza po godet veçanërisht fort Evropën Qendrore dhe Lindore, ku vendet kanë disa nga normat më të larta të inflacionit në 27 vendet e Bashkimit Evropian dhe njerëzit po luftojnë për të blerë ushqime ose për të mbushur rezervuarët e karburantit.

Në Poloninë fqinje, Barbara Grotowska, pensioniste 71-vjeçare, thotë para një supermarketi me zbritje në kryeqytetin Varshavë se ajo është goditur më së shumti nga tarifa e trefishuar e mbledhjes së mbeturinave. Ajo u ankua gjithashtu që vaji i gatimit që përdor është ngritur trefish.

Ngritja e fundit e inflacionit ka zënë në befasi liderët e biznesit dhe ekonomistët në mbarë botën.

Në pranverën e vitit 2020, koronavirusi shkatërroi ekonominë globale: qeveritë urdhëruan bllokime, bizneset u mbyllën ose shkurtuan orët dhe familjet qëndruan në shtëpi. Kompanitë u përgatitën për më të keqen, duke anuluar porositë dhe duke shtyrë investimet.

Në një përpjekje për të shmangur katastrofën ekonomike, vendet e pasura - më së shumti Shtetet e Bashkuara - ofruan ndihma qeveritare në vlerë prej bilionë dollarësh, me një mobilizim ekonomik në shkallë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Bankat qendrore ulën gjithashtu normat e interesit në përpjekje për të ringjallur aktivitetin ekonomik.

Punët nuk i ka mirë as Turqia. Lira turke është në pikën më të ulët karshi dollarit dhe euros në javët e fundit. Devalvimi dramatik i lirës ka shkaktuar panik në mesin e turqve.

Me inflacionin gati në 20 për qind çmimet e ushqimit kanë fluturuar dhe nuk dihet se kur do të stabilizohet situata. Pritjet e gjata të njerëzve për të blerë bukë në dyqanet më të lira janë pamje të zakonshme në javët e fundit.

Turqit kanë nisur të këmbejnë kursimet e tyre në monedha të huaja dhe ari, për t’u mbrojtur nga inflacioni i lartë teksa investuesit e huaj kanë nisur të braktisin asetet e Turqisë.

Lira turke ka humbur vlerën e saj deri në 40 për qind që prej fillimit të vitit dhe është një prej monedhave më të dobëta në botë.