Botë

Papa Fraçesku dënon mënyrën e trajtimit të imigrantëve në Evropë

Descriptive Text

Papa Françesku ka denoncuar “interesin e ngushtë vetjak dhe nacionalizmin” mbi mënyrën se si Evropa i trajton emigrantët.

Duke folur në ishullin grek të Lesbos, ku takoi dhjetëra emigrantë, Papa Françesku tha se ata po përdoreshin për propagandë politike.

Ai kërkoi përqendrim në shkaqet e migrimit, të tilla si "luftërat e harruara", në vend që të ndëshkohen ata që ndjejnë efektet e tyre. Papa po ashtu, kritikoi ndërtimin e mureve për të mbajtur njerëzit jashtë.

"Në Evropë ka nga ata që këmbëngulin ta trajtojnë problemin si një çështje që nuk i shqetëson ata - kjo është tragjike. Historia na mëson se interesi i ngushtë vetjak dhe nacionalizmi çojnë në pasoja katastrofale”, ka thënë Françesku.

Ndërsa pandemia e koronavirusit kishte treguar se sfidat e mëdha duhej të përballeshin së bashku dhe kishte disa shenja se kjo po ndodhte në ndryshimin e klimës, kishte pak shenja për një qasje të tillë ndaj migrimit, ka deklaruar Papa.

“Është e lehtë të ndikosh në opinionin publik duke i futur frikën tjetrit. Duhet sulmuar shkaqet e largëta, jo njerëzit e varfër që paguajnë pasojat dhe madje përdoren për propagandë politike”, u shpreh ai.

Papa përmendi luftën, marrëveshjet ekonomike "ku njerëzit duhet të paguajnë", dhe fluksin e armëve si faktorë që i shtyjnë njerëzit të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.

Muajin e kaluar 27 persona vdiqën kur gomonja e tyre e fryrë u mbyt në Kanalin midis Francës dhe Britanisë së Madhe. Disa njerëz kanë vdekur në temperaturat e ulëta duke u përpjekur të kalonin në Poloni nga Bjellorusia. Në anën tjetër, 1,650 persona janë regjistruar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin si të zhdukur gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun këtë vit.