Edhe pemët e Krishtlindjeve nuk janë imune ndaj mungesave të shkaktuara nga pandemia dhe inflacionit që po rrënon ekonominë.
Moti ekstrem dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit kanë reduktuar furnizimet e pemëve të gjalla dhe artificiale këtë sezon. Blerësit amerikanë duhet të presin që të kenë më pak zgjedhje dhe të paguajnë deri në 30% më shumë për të dy llojet këtë Krishtlindje, thanë zyrtarët e industrisë.
"Është një goditje e dyfishtë - moti dhe problemet e zinxhirit të furnizimit po e pengojnë me të vërtetë industrinë", ka thënë Jami Warner, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Amerikane të Pemës së Krishtlindjeve. “Kultivuesit janë goditur rëndë nga përmbytjet, zjarret, tymi, thatësira, kushtet ekstreme të motit”.
Të nxehtit rekord dhe zjarret në fund të qershorit shkaktuan një dëm të madh në fermat e pemëve të Krishtlindjeve në Oregon dhe Washington, dy nga kultivuesit më të mëdhenj të vendit, shkruan AP.
Warner nuk mund të jepte një vlerësim sa më pak pemë do të ketë këtë vit, por për shkak se duhen deri në 10 vjet për t'u rritur, mungesa do të ndihet për shumë sezone në vijim.
Mungesa e shoferëve të kamionëve po e bën më të vështirë dhe më të shtrenjtë transportin e pemëve të gjalla nga fermat në dyqane.