Ish-ministri i qeverisë franceze po përballet me akuza të reja për përdhunim dhe abuzim seksual pasi disa gra dolën në një dokumentar televiziv për të dëshmuar se ai i kishte sulmuar ato.
Pretendimet vijnë katër vjet pasi Nicolas Hulot, 66 vjeç, u akuzua për herë të parë për përdhunim nga mbesa e presidentit të ndjerë socialist François Mitterrand.
Në një intervistë të dhënë pak para transmetimit të dokumentarit të enjten, Hulot i mohoi me forcë akuzat dhe i akuzoi gratë për gënjeshtra. Ai tha se po tërhiqej përfundimisht nga jeta publike, shkruan Guardian.
Prokurorja publike e Parisit, Laure Beccuau, të premten njoftoi se do të nisë një hetim paraprak për akuzat.
Katër gra, të përshkruara si të panjohura për njëra-tjetrën, pohuan se ato ishin sulmuar nga Hulot.
Në vitin 2018, kur në detyrën e tij ministrore, një revistë pretendonte se ai kishte përdhunuar vajzën e një figure të profilit të lartë, që më vonë u zbulua se ishte Pascale Mitterrand, mbesa e presidentit të ndjerë socialist. Disa muaj më vonë, Hulot dha dorëheqjen papritur gjatë një interviste në radio, duke përmendu një mosmarrëveshje mbi politikën mjedisore të qeverisë.