Botë

Bideni kufizon udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe shtatë vende të tjera

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se SHBA-ja do të kufizojë udhëtimin nga Afrika e Jugut dhe shtatë vende të tjera duke filluar nga e hëna, për shkak të shfaqjes së variantit të ri të COVID-19, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur Omicron.

Duke vepruar sipas këshillave të ekspertit më të lartë të vendit për sëmundjet infektive, mjeku, Anthony Fauci, dhe Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, administrata e Bidenit do të kufizojë udhëtimet nga Afrika e Jugut, Botsvana, Zimbabve, Namibia, Lesoto, Eswatini, Mozambiku dhe Malavi.

Vendimi për të kufizuar udhëtimin vjen pasi qeveria federale po përpiqet ende të mësojë më shumë rreth variantit të ri, të cilin OBSH-ja e ka quajtur shqetësues. Zyrtarët vendosën të ndalojnë udhëtimet nga këto vende të tjera nga shqetësimi për atë që ata ende nuk e dinë.

Biden u informua të premten për variantin e ri të koronavirusit duke u thënë gazetarëve më vonë se ka vendosur që SHBA-ja të jetë më e kujdesshme.

"Kam vendosur që do të jemi të kujdesshëm. Ne nuk dimë shumë për variantin përveç se është një shqetësim i madh dhe duket se po përhapet me shpejtësi, dhe unë kalova rreth gjysmë ore këtë mëngjes me ekipin tim COVID të udhëhequr nga Fauci, kështu që ky ishte vendimi që morëm”, ka thënë Bideni.

Evropa është alarmuar të premten, pasi është regjistruar rasti i parë i variantit të ri të koronavirusit, që fillimisht është identifikuar në Afrikën e Jugut.

Belgjika është shteti që ka konfirmuar rastin e parë të variantit B.1.1.529 që po konsiderohet më i rrezikshëm se variantet paraprake. Besohet se bëhet fjalë për një person që ka shkuar nga Egjipti në Belgjikë.

Varianti i ri besohet se u reziston vaksinave dhe është shumë më shumë i transmetueshëm. Evropa, që është në alarm edhe nga rritja e rasteve me variantet tjera, ka kërkuar mbylljen e kufijve dhe të mos lejohen udhëtarët nga Afrika.