Botë

Dy të vdekur e katër të lënduar në një sulm në Jerusalem

Një palestinez i armatosur ka vrarë një izraelit dhe ka plagosur katër tjerë, para se të qëllohej fatalisht nga policia izraelite në afërsi të hyrjes në vendin e shenjtë në Jerusalem të dielën, është njoftuar nga Policia izraelite, raporton agjencia AP.

Policia ka thënë se sulmi ka ndodhur në afërsi të hyrjes të vendit të shenjtë të cilin hebrenjtë e njohin si Tempulli i Malit dhe ata muslimanë si Shenjëtorja Fisnike. Dhuna që rrethon këtë vend, i cili konsiderohet i shenjtë nga dy besimet, ka shkaktuar raunde të mëparshme të luftimeve mes izraelitëve e palestinezëve, së fundi në maj.

Mjekët kanë treguar se një person ka marrë lëndime kritike, një tjetër plagë të ënda dhe tre të tjerë u plagosën lehtë. Spitali i Jerusalemit, Hadassah, më vonë ka konfirmuar se personi që kishte marrë lëndime shumë të rënda ka vdekur. Po ashtu edhe sulmuesi palestinez është konfirmuar i vdekur në vendin e ngjarjes.

Sipas Policisë dy nga të plagosurit lehtë janë zyrtarë policorë, ndërsa kanë identifikuar sulmuesin si një banor 42-vjeçar nga lindja e Jerusalemit.

Ministri i Sigurisë Publike, Omer Bar Lev, ka thënë për gazetarët se sulmuesi ishte anëtar i Hamasit dhe po jetonte në kampin e refugjatëve Shuafat në lindje të Jerusalemit. Gruaja e tij ishte larguar nga Izraeli tri ditë më parë.

Mediumet palestineze e kanë identifikuar sulmuesin si Fadi Abu Shkhaidem.