Botë

Tajvani nuk pret ndihmë nga shtetet e tjera për mbrojtje nga Kina

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar të enjten se Tajvani duhet të përgatitet që ta mbrojë veten dhe të mos varet nga shtetet e tjera po qe se Kina e nis sulmin ushtarak ndaj ishullit.

Ministria tajvaneze ka specifikuar se nuk dëshiron që të varet as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë shprehur gatishmëri për të mbrojtur ishullin.

Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës janë ngritur në nivelin më të lartë në dekadat e fundit.

Kina ka dërguar aeroplanë luftarakë në hapësirën ajrore të ishullit, duke e ashpërsuar fushatën e ngacmimit ushtarak.

Ministria e Mbrojtjes në Tajvan ka bërë të ditur se Kina do të ketë kapacitete të plota ushtarake për ta pushtuar ishullin në vitin 2025.

Kina e sheh Tajvanin si pjesë të sajën, ani pse ishulli ka shpallur pavarësinë në vitin 1949, pas një lufte të gjatë civile.