Botë

Fëmijët e traumatizuar nga Policia amerikane

Royal Smart mban mend çdo detaj: ndjesinë e prangave në kyçet e tij. Paniku që e kapi kur e sollën në errësirën e marsit të ftohtë, duart e ngritura dhe para një grumbulli policësh që ia kishin drejtuar revolet. Ishte tetëvjeçar.

As ai apo ndonjë familjar tjetër nuk ishte arrestuar në shtëpinë e tyre në South Side të Chicagos para dy vjetësh kur policia me urdhërbastisjeje po kërkonte armë të jashtëligjshme, të cilat aty nuk i gjeti.

Ama sot e asaj dite, gjatë maktheve dhe ecjeve të rastësishme, ai tmerrohet nga kujtimi i policëve që thyen dyert e secilës dhomë, duke urdhëruar njerëzit që të shtriheshin për tokë.

“Nuk mund të fle. Ende mendoj se policët janë duke ardhur”, thotë Smart.

Fëmijët si Royal janë lënë jashtë temës pasi George Floyd vdiq në duart e policisë në vitin 2020, duke ngjallur debat të madh në lidhje me përdorimin e tepruar të forcës nga zyrtarët policorë, sidomos ndaj të rriturve afro-amerikanë.

Fëmijët janë ende të lënë anash ani pse kanë nisur reformat nga ligjvënësit dhe departamentet policore. Mirëpo, rast pas rasti, është zbuluar se fëmijët që prej moshës 6-vjeçare, trajtohen ashpër, madje edhe brutalisht nga zyrtarët e ligjit.

Janë prangosur, u është drejtuar revolja elektrike dhe janë shtrirë për tokë nga policët dy herë më të mëdhenj sesa ata. Departamentet kombëtare kanë pak fuqi për të penguar këto incidente.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka analizuar të dhënat nga 3 mijë raste kur policia ka përdorur forcën ndaj fëmijëve nën moshën 16-vjeçare në 11 vjetët e fundit.

Me këto të dhëna pritet të krijohet një databazë për përdorim të forcës, përfshirë incidentet nga 25 departamente policore në 17 shtete amerikane.

Fëmijët e racës së zezë përbëjnë më shumë se 50 për qind të rasteve me prangosje, ani pse ata janë vetëm 15 për qind e popullsisë së fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata dhe fëmijët e minoriteteve të tjera cilësohen nga policia me moshë më të madhe sesa që janë. Forcat e përdorura më së shumti janë shtrirja përtokë dhe goditjet të përcjella nga drejtimi i armëve ose përdorimi i tyre ndaj fëmijëve. Më pak janë përdorur taktikat e sprejit dhe qenve K-9.

Në Minneapolis, policët kanë rrëzuar fëmijët me peshën e trupit 190 herë. Në Indianapolis, më shumë se 160 fëmijë janë prangosur; në Wichita të Kansasit, policët kanë nxjerrë ose përdorur revolet elektrike ndaj fëmijëve në së paku 45 raste.

Shumica e tyre janë adoleshentë, por të dhënat kanë përfshirë raste të fëmijëve deri në 10 vjet.

Forca zakonisht është përdorur për të rrëzuar përtokë fëmijët, të cilët janë akuzuar për krime serioze.

Policia ka raportuar se në shumicën e rasteve fëmijët e neutralizuar me revole elektrike ishin të armatosur; ndërkaq të tjerë po përjetonin kriza mendore dhe rrezikonin të lëndonin veten. Forca është keqpërdorur kur fëmijët kanë tentuar të iknin nga intervistimi i policisë.

Nuk ka ligje që ndalojnë përdorimin e forcës policore kundër fëmijëve. Disa departamente kanë rregullore me të cilat saktësohet se si duhet të prangohet një fëmijë, por pak prej tyre përmendin moshën nëpër këto rregullore.

Teksa shumë prej tyre ofrojnë një udhëzim se si të menaxhohet i mituri i akuzuar për krime apo se si të prangoset një person me probleme mendore, në hulumtim “Associated Press” nuk ka zbuluar rregullore të tilla.

Trauma zgjat. Fëmijët nuk i zë gjumi. Ata tërhiqen dhe veprojnë. Truri i tyre është ende në zhvillim dhe takimet kanë ndikim afatgjatë, thonë psikologët.

Po atë pranverë, në një krah tjetër të South Side, tre fëmijët e Krystal Archie ndodheshin në apartament kur polica në dy raste goditi derën e hyrjes dhe bëri copash dollapët në kërkim për të dyshuarit e drogës Kurrë nuk kishte dëgjuar për njerëzit që policia po i kërkonte.

E bija e madhe, Savannah, ishte 14-vjeçare, Telia 11 dhe më i vogli Jhaimarion 7. U urdhëruan që të shtriheshin përtokë. Telia thotë se momenti më i frikshëm ishte kur polici vuri këmbën në shpinën e Savannhas.

Archie thotë se fëmijët e saj “u urdhëruan të shtriheshin sikur të ishin kriminelë. U morën në pyetje sikur të ishin të rritur”.

Duart e Savannah dridhen sa herë që sheh veturën policore.

Dy familjet kanë paditur policinë e Chicagos, nën akuzat për arresti të rremë, sjellje të pahijshme dhe shqetësime emocionale. Policia nuk ka komentuar rastet e familjeve, por ka thënë se politikat e rishikuara në muajin maj kërkojnë planifikime shtesë për njerëzit e cenueshëm si fëmijët.

Por avokati i dy familjeve, Al Hofeld Jr, thotë se incidentet janë pjesë e një modeli dhe përfaqësojnë forcën e veçantë të përdorur keq ndaj familjeve të varfra afro-amerikane.

Psikologët thonë se situata përkeqësohet nga 0 në 100 brenda pak sekondave – shpesh sepse policët sjelljen impulsive të fëmijëve e cilësojnë si kërcënim.