Botë

Viktimat e abuzimit seksual në Francë akuzojnë Policinë për keqtrajtim

Mijëra gra në Francë kanë denoncuar përmes një kampanje online, përgjigjet shokuese të oficerëve policorë kur ato kishin raportuar abuzimin seksual.

Njëra prej tyre ka rrëfyer se si ishte pyetur nga policia në Paris se çfarë kishte veshur atë ditë dhe pse nuk kishte luftuar më shumë, ndërkaq një tjetër ka treguar se si polici i ka kërkuar asaj që ta demonstrojë mënyrën se si është dhunuar seksualisht, për t’ia bërë atij më bindës raportimin.

Këto gra dhe shumë të tjera, kanë ngritur kampanjën për t’i treguar botës se policia po i fajëson dhe po i keqtrajton kur ato po u drejtohen për ta raportuar abuzimin seksual.

Kampanja me hashtagun “DoublePeine#DoubleSentencing, është lansuar muajin e kaluar nga Anna Toumazoff, pasi kishte kuptuar se një 19-vjeçare e cila kishte shkuar në stacionin policor në qytetin e Momtpellierit për ta raportuar abuzimin seksual, ishte pyetur nga polici nëse kishte përjetuar kënaqësi gjatë dhunimit.

Ky hashtag shumë shpejtë është bërë viral, pasi shumë gra i janë bashkëngjitur duke ndarë me të tjerët përvoja të ngjashme, qoftë në Montpellier apo edhe në stacione të tjera policore në mbarë Francën.

Grupi francez për të Drejtat e Grave, ka numëruar të paktën 30 mijë llogari në Twitter ku raportohet keqtrajtimi dhe për shumë mesazhe në rrjetet të tjera sociale apo edhe në uebsajte specifike.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin ka thënë se janë disa pyetje të cilat Policia nuk e ka kompetencë t’ua bëjë grave kur shkojnë për të raportuar abuzimin seksual.

Ai ka thënë se një hetim i brendshëm tashmë ka nisur në stacionin policor në Montpellier.

“Nuk është punë e Policisë që të deklarohet nëse ka pasur dhunë apo jo, kjo është punë me të cilën duhet të merret gjykata”, ka thënë ai.

Ndërkaq, prefekti i rajonit të Montpellier kishte dënuar më parë në një deklaratë ato që ai i quajti "komente shpifëse" kundër oficerëve.

Ai i quajti ato "informacione të rreme" dhe "gënjeshtra" duke thënë se po synojnë diskreditimin e veprimeve të policisë.