Qeveria siriane ka bërë të ditur se ka ekzekutuar 24 persona të dënuar për ndezje të qëllimshme të zjarreve vdekjeprurëse, vitin e kaluar.
Sipas Qeverisë siriane, 11 persona të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, derisa 5 të miturve u janë shqiptuar dënime nga 10-12 vjet burgim.
Ministria e Drejtësisë i ka përshkruar të gjithë këta si kriminelë të cilët kanë kryer “akte terroriste”.
Ata thuhet se pranuan ndezjen e zjarreve në rajonet bregdetare malore të vendit, të shkatërruara nga lufta në shtator dhe tetor 2020, e si pasojë e të cilave vdiqën tre persona.
Ndwrkaq, grupet e të Drejtave të Njeriut besojnë se mijëra njerëz janë ekzekutuar nga qeveria e Presidentit Bashar al-Assad që nga fillimi i luftës civile në 2011.
Hulumtuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte kanë thënë përmes një raporti se ata janë informuar nga dëshmitarë për vrasjen e të arrestuarve, pa ndonjë gjykim ose pas gjykimeve të padrejta nga gjykatat ushtarake në terren.
Kur zjarret shpërthyen vitin e kaluar në disa zona në Siri, ato iu atribuuan një vale të nxehti që ishte e pazakontë për kohën e vitit, si dhe erërave të ngrohta lindore dhe vegjetacionit të tharë në tokë.
Autoritetet vendase dokumentuan gjithsej 187 zjarre në provincat Latakia, Tartous, Homs dhe Hama që prekën 280 qytete dhe fshatra, ka thënë Ministria e Drejtësisë. Si pasojë, janë shkatërruar 32,000 hektarë tokë bujqësore dhe 11,000 hektarë tokë pyjore.