Botë

COVID-19 ua ka marrë jetën 180 mijë punonjësve shëndetësorë në mbarë botën

Descriptive Text

Virusi COVID-19 ka prekur një numër të madh të stafit shëndetësor në mbarë botën dhe mund të ketë vrarë mes 80,000 dhe 180,000 të tillë, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se punonjësit shëndetësore duhet të jenë prioritet në procesin e vaksinimit, ndërkohë që ka kritikuar shpërndarjen jo të drejtë të dozave të vaksinave.

Sipas tij, këto vdekje kanë ndodhur mes janarit të vitit 2020 dhe majit të vitit 2021.

Më herët, një zyrtar tjetër i lartë i OBSH-së paralajmëroi se mungesa e injektimeve mund të bëjë që pandemia të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Sipas vlerësimeve, janë rreth 135 milionë punonjës shëndetësorë në të gjithë botën.

“Të dhënat e mbledhura nga 119 shtete thonë se në mesatare, dy në pesë punonjës shëndetësorë në të gjithë botën, janë të vaksinuar plotësisht” ka thënë Tedros.

Ai ka shprehur shqetësime për vaksinimin në Afrikë, duke thënë se më pak se 1 në 10 punonjës shëndetësorë atje janë të vaksinuar plotësisht, krahasuar me 8 në 10 punonjës në vendet më të pasura.

Dështimi për të furnizuar shtetet më të varfra me vaksina të mjaftueshme është nënvizuar më parë nga doktori Bruce Aylward, një zyrtar i lartë në OBSH, i cili ka thënë se kriza me COVID “mund të zvarritet deri në vitin 2022”.

Sipas të dhënave të OBSH-së, deri më tani, më pak se 5% e popullatës në Afrikës është vaksinuar, në krahasim me 40% në shumicën e vendeve të tjera.