Botë

Me anë të padisë, Trumpi synon fshehjen e të dhënave mbi 6 janarin

Padia e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë ngritur kundër Arkivit Kombëtar dhe Komitetit hetues ishte e pritshme – meqë ai kishte thënë edhe më herët se do t’i sfidonte hetimet. Për më tepër kishte udhëzuar ish-ndihmësin e tij, Steve Bannon, që të mos u përgjigjej thirrjeve për dëshmi. Kjo mosbindje mund t’i kushtojë Bannonit me përndjekje kriminale

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë përpjekje për bllokimin e zbardhjes së dokumenteve të ndërlidhura me sulmin në ndërtesën e Capitolit para Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve që po i heton ngjarjet e 6 janarit, duke e sfiduar vendimin fillestar të Joe Bidenit për shfuqizimin e privilegjit ekzekutiv.

Në padinë federale, ish-presidenti ka bërë të ditur se kërkesa e adresuar nga Komiteti gjatë gushtit ishte “pothuajse e pakufizuar në fushëveprim” dhe shënjestronte shumë të dhëna që nuk kishin ndërlidhje me ngjarjen.

Administrata Biden, duke e hapur rrugën për publikimin e dokumenteve, ka bërë të ditur se rrethimi i dhunshëm në Capitoll ishte një rrethanë aq e jashtëzakonshme saqë e meriton shfuqizimin e privilegjit, që rëndom përdoret për mbrojtjen e komunikimeve përbrenda Shtëpisë së Bardhë.

Trump është përpjekur në mënyrë agresive që t’i minojë punimet e Komitetit, duke e udhëzuar ish-ndihmësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Steve Bannon, që t’u rezistojë thirrjeve për dëshmi. Por ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se nuk do të zmbrapsen derisa të mos i mbledhin faktet dhe dëshmitë e nevojshme rreth sulmit që përfshiu mbështetësit e ish-presidentit. Në ngjarjen e 6 janarit të vitit të shkuar me dhjetëra policë kanë mbetur të lënduar, ligjvënësit kanë nxituar për të kërkuar strehim të sigurt dhe ishte ndërprerë certifikimi i fitores së presidentit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Padia e Trumpit e ngritur ndaj Arkivit Kombëtar dhe Komitetit hetues ishte e pritshme – meqë ai kishte thënë edhe më herët se do t’i sfidonte hetimet. Ndërkaq refuzimi i Bannonit për t’iu përgjigjur Komitetit rrezikon të përfundojë me përndjekjen e tij kriminale.

“Synimi i qartë i ish-presidentit është që t’ia ndalojë Komitetit të zgjedhur mbledhjen e fakteve lidhur më 6 janarin, ndërsa padia e tij nuk është asgjë tjetër përveçse përpjekje për vonimin dhe pengimin e hetimeve”, ka thënë shefi i Komitetit, Bennie Thompson.

Padia, e ngritur pasi që Bideni mori vendim që ta shfuqizojë të drejtën e tij për ta bllokuar publikimin e dokumenteve nën standardin ligjor të privilegjit ekzekutiv, pretendon se kërkesa e panelit hetues ishte skajshmërisht e gjerë dhe “një ekspeditë e bezdisshme, ilegale peshkimi”, precizohet në dokumentet e paraqitura para gjykatës federale të qarkut të Columbias.

Image

Beteja gjyqësore ka marrë hov një ditë para se Paneli të votojë rreth rekomandimit që Bannoni të ngarkohet me mosbindje ndaj Kongresit lidhur me rastin.

“Bannoni duket se ka luajtur një rol të shumanshëm në ngjarjet e 6 janarit dhe populli amerikan meriton të dëgjojë nga dora e parë dëshminë e tij lidhur me veprimet”, shkruhet në rezolutën e Komitetit.

Kjo rezolutë i liston mënyrat e shumta sesi Bannoni ishte përfshirë në kryengritjen e fillimvitit të shkuar, duke përfshirë raportimet se e kishte trimëruar Trumpin që të përqendrohej në 6 janarin, ditën kur Kongresi i certifikon zgjedhjet presidenciale, si dhe komentet e tij më 5 janar se “krejt ferri do të shpërbëhet” ditën pasuese.

Përveç Bannonit, Komiteti hetues ka thirrur për dëshmi me dhjetëra persona që ndihmuan në planifikimin e tubimit të Trumpit para kryengritjes, dhe disa prej tyre veçse kanë thënë se do t’i dorëzojnë dokumentet e tyre dhe të dëshmojnë.

Komiteti ka kërkuar një gamë të gjerë dokumentesh ekzekutive që ndërlidhen me të dhënat e mbledhura para sulmit, përgatitjet e sigurisë gjatë dhe para rrethimit, tubimet pro-Trump të mbajtura atë ditë dhe pretendimet e rreme të Trumpit se i ka fituar zgjedhjet.