Botë

Kidnapuesit në Haiti kërkojnë 17 milionë dollarë për lirim të misionarëve

Një bandë që ka kidnapuar një grup të misionarëve nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Haiti të shtunën po kërkon nga 1 milion dollarë për çdo misionar, raporton Ministria e Drejtësisë së Haitit, transmeton “Wall Street Journal”.

Banda është e njohur për kidnapimin e personave dhe kërkimin e parave për të liruar ata. Ajo po mban 17 misionarë. Kështu që kërkon 17 milionë dollarë për lirimin e tyre.

Banda e njëjtë, 400 Mazowo, kishte kidnapuar një grup të klerikëve katolikë në prill.

Klerikët u liruan më vonë, por nuk është e qartë se sa u pagua për lirimin e tyre.

Gjithë të kidnapuarit e të shtunës janë shtetas amerikanë, me përjashtim të një shtetasi kanadez. Në mesin e tyre janë pesë burra, shtatë gra dhe pesë fëmijë. Më i riu është fëmijë dyvjeçar.

Ata kanë punuar në Christian Aids Ministries, një organizatë misionare jo-fitimprurëse me seli në Ohio të SHBA-së, që ndihmon haitianët me strehë, ushqim dhe veshje.