Botë

Policia paralajmëron padi ndaj kalimtarëve që nuk e raportuan një rast përdhunimi në Filadelfia

Descriptive Text

Kalimtarët që qëndruan pranë dhe nuk arritën të ndihmonin një grua të dhunuar në një tren udhëtarësh në Filadelfia javën e kaluar mund të përballen me akuza penale, kanë thënë autoritetet.

Autoritetet thonë se kamerat tregojnë se kalimtarët në tren "nuk bënë asgjë" ndërsa sulmi ndodhi.

Policia shtoi se disa nga kalimtarët mund të kenë filmuar incidentin, në vend që të thërrisnin policinë.

Një burrë u arrestua për incidentin dhe tani përballet me akuza për përdhunim, raporton BBC.

Ngjarja ndodhi të mërkurën e kaluar në një tren që i përkiste Autoritetit të Transportit Juglindor të Pensilvanisë (Septa). Në një deklaratë, Septa tha se "kishte njerëz të tjerë në tren që ishin dëshmitarë të këtij akti të tmerrshëm dhe mund të ishte ndaluar më shpejt nëse një nga ta thërriste 911".

Viktima u dërgua në spital dhe po bashkëpunon me policinë.

Në një konferencë shtypi të hënën, policia tha se nuk beson se ndonjë dëshmitar thirri 911-shin pasi gruaja u ngacmua dhe më pas u përdhunua gjatë më shumë se 40 minutash.