Demokratët e Lirë pro-biznesit në Gjermani u bënë të hënën subjekti i fundit politik prej tri partive që e mbështetën fillimin e bisedimeve zyrtare të koalicionit për formimin e një Qeverie të re.
Kreu i FDP-së, Christian Lindner, ka bërë të ditur se ekzekutivi i partisë është pajtuar që ta ndërmarrë një hap të tillë, pas rreth dy javësh bisedimeve joformale me Social Demokratët e qendrës së majtë dhe të Gjelbrit ambientalistë.
Lindner ka pranuar se të tri partitë nuk e kishin kërkuar njëra-tjetrën përpara zgjedhjeve të 26 shtatorit dhe ka shpjeguar se të gjithë që janë përfshirë do të duhet të tregojnë “shumë tolerancë dhe gatishmëri për të menduar përsëri”.
Në zgjedhje, Socialdemokratët dolën të parët, para bllokut konservator të kancelares Angela Merkel, ndërsa të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë dolën të tretit dhe të katërtit. Merkeli do të qëndrojë si udhëheqëse në detyrë, derisa të krijohet qeveria e re e koalicionit.