Botë

Zelanda e Re me festival nxit vaksinimin masiv

Zelanda e Re ka organizuar një festival kombëtar për të inkurajuar njerëzit që të vaksinohen.

Yje të muzikës, sportit dhe filmit janë bërë bashkë në festivalin “Vaxathon”, që u transmetua në televizion për më shumë se tetë orë.

Kryeministrja Jacinda Ardern ka thënë se fillimisht qëllimi ishte vaksinimi i 100 mijë personave, por më vonë është ngritur në 150 mijë për shkak se vaksinimi kishte sukses me këtë festival. Deri të shtunën janë vaksinuar 120 mijë njerëz, duke lënë prapa rekordin e muajit gusht, kur u vaksinuan 93 mijë njerëz brenda një dite.

Kompanitë ajrore shndërruan aeroplanët në qendra vaksinimi në Auckland. Ndërkaq në Christchurch kishte ushqim falas për të gjithë të vaksinuarit. Fushata e vaksinimit nëpërmjet festivalit është organizuar në ditët kur Zelanda e Re po përballet me përhapjen më të madhe të pandemisë.

Aucklandi si qyteti më i madh, është më i rrezikuari nga përhapja e Covid-19. Që prej fillimit të pandemisë, Zelanda e Re kishte sukses në menaxhimin e rasteve për shkak të masave të ashpra. Para festivalit, 72 për qind e popullsisë në Zelandën e Re ka marrë së paku një dozë, ndërkaq plotësisht të vaksinuar janë 54 për qind.