Presidenti amerikan, Joe Biden, është kthyer të shtunën në Washington nga një vizitë në Connecticut dhe i ka telefonuar ish-presidentit Bill Clinton, i cili është i shtrirë në spital për shkak të një infeksioni.
Bideni ka thënë se e ka telefonuar për të pyetur rreth shëndetit. Duke treguar se gjendja e ish-presidentit është e mirë, Bideni ka thënë se e ka ftuar për një drekë në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas presidentit, Clintoni i ka shprehur përkrahje për politikën e tij. Bideni ka thënë se ish-presidenti Clinton do të lirohet shpejt nga spitali.
Një zyrtar i afërm me ish-presidentin ka thënë se Clintoni është në gjendje të mirë dhe se gjatë kohës në spital ka shfletuar libra. Përkrah tij këto ditë ka qëndruar bashkëshortja e tij, ish-kandidate për presidente, Hillary Clinton.
Deri të shtunën, nuk është bërë e ditur koha e lirimit të Clintonit nga spitali.
Ndërkaq Bideni me të arritur në Shtëpinë e Bardhë ka kritikuar personat që po kundërshtojnë hetimet rreth kaosit të 6 janarit në Capitol të Washingtonit. I pyetur nëse Departamenti i Drejtësisë duhet t’i dënojë përgjegjësit e kaosit, Bideni ka pranuar se ata duhet të mbahen përgjegjës.