Botë

Rrëfimi i gruas që solli binjakët teksa ishte në komë nga COVID-19

Sultana Ashiq nga Britania e Madhe ishte në javën e 31-të të shtatzënisë kur u infektua me koronavirus në janar të vitit 2021. Në atë kohë ajo nuk mund të vaksinohej si një grua shtatzënë.

Tani, 34-vjeçarja që është bërë nënë e dy vajzave ka dhenë rrëfimin për atë periudhë dhe porosinë për vaksinim kundër COVID-19.

“Do të bëja gjithçka vetëm që të mund të merrja frymë”, ka rrëfyer ajo për BBC-në.

34-vjeçarja fillimisht mori trajtim në një spital lokal në Luton, para se të dërgohej në emergjencë.

“Më vunë në koma dhe përderisa isha duke fjetur, u lindën binjaket e mija. S’kam pasur ide se fëmijët e mi u lindën, janë diku e unë jam diku tjetër. Ata po merrnin vendime për jetën time...”, ka thënë ajo e përlotur.

Pasi u lindën binjaket, gjendja e Ashiqit u përkeqësua.

U dërgua në një spital në Cambridge për trajtim të mëtejmë, ndërsa binjaket mbetën në Luton në kujdes intensiv.

“Pashë se barku më ishte larguar dhe kuptova se kisha lindur”, ka treguar ajo për momentin e parë kur kuptoi për lindjen.

Sultana i pa fëmijët e saj për herë të parë nëpërmjet një videothirrjeje me bashkëshortin e saj. Ajo ishte në gjendje t’i mbante në duar foshnjat e saj, për herë të parë, 41 ditë pas lindjes.

“Vetëm qaja sepse s’kam menduar që mund të kthehem te familja ime më”, ka vazhduar ajo.

Këshilla kryesore e saj është që gratë shtatzëna të vaksinohen kundër COVID-19. Për gratë që po hezitojnë të vaksinohen ajo ka dhënë një mesazh nga përjetimet e veta.

“Vetëm merrni vaksinën, është e sigurt dhe po ju pret. Merreni sepse për 41 ditë që s’i pash fëmijët, kjo do të jetë gjithmonë një mungesë e madhe në jetën time”, ka përfunduar ajo.