Megjithëse Serbia ka marrëdhënie të forta me Evropën Perëndimore, pjesa më e madhe e serbëve e konsiderojnë Rusinë si partnerin më të afërt. Kjo kryesisht ndodh për shkak të narrativit që e proklamojnë mediat e financuara nga Kremlini, si Sputnik, që dominojnë gjithandej
Pjesa më e madhe e serbëve besojnë se Rusia dhe Kina janë partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të vendit.
Por ç’është e vërteta, Serbia mbi dy të tretën e tregtisë së saj e kryen me vendet e Bashkimit Evropian. Përderisa Evropa Perëndimor numëron hisenë më të madhe të investimeve të huaja në Serbi.
Agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle ka kujtuar të enjten se me qindra e mijëra serbë punojnë, studiojnë dhe punojnë në vendet e BE-së, porse vetëm pak syresh veprojnë në Rusi apo Kinë.
“Megjithëkëtë, shumë qytetarë serbë i shohin Moskën dhe Pekinin si miqtë më të afërt të vendit të tyre derisa rëndom nuk presin ndonjë gjë pozitive prej BE-së”, ka raportuar Deutsche Welle, duke e shtuar dilemën se çfarë në fakt e shpjegon këtë boshllëk midis afinitetit të Serbisë karshi Rusisë dhe realitetin e marrëdhënieve të saj me Moskën.
“Përgjigjja fshihet në ndikimin e ushtruar prej mediave shtetërore ruse mbi peizazhin medial serb dhe, përtej kësaj, në opinionin publik jo vetëm në Serbi, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkruan agjencia.
Në veçanti, DW-ja përmend edicionin serb të portalit dhe radiostacionit të financuar nga Kremlini, Sputnik, i cili e portretizon një imazh të çështjeve botërore, që ka fare pak të bëjë me realitetin.
“Sipas Sputnikut, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë të shkruar keq dhe marrëdhëniet i kanë në rënie, përderisa vendet si Rusia dhe Kina po fitojnë përherë e më shumë ndikim kudo në botë”, shkruan agjencia gjermane.
Portali rus e proklamon njashtu bindjen se shkaku i sistemeve ekonomike dhe shoqërore, këto dy vende janë dukshëm më superiore sesa ato të Perëndimit.
“Përmbajtje” e lirë nga Moska
Për vite të tëra, Sputniku ia ka transmetuar këtë qëndrim botës dhe ai thjesht është pranuar nga shumë media serbe, pa u kontestuar apo pa kërkuar sqarime. Shumë redaksi të lajmeve në Serbi, sikurse edhe në vendet e tjera, janë përballur me mungesën kronike të fondeve.
Kjo, sipas analizës së Deutsche Welles, është arsyeja pse raportimet pa pagesë të Sputnikut janë tejet të mirëseardhura në Serbi.
“Dalëngadalë, këto raportime po e krijojnë mes njerëzve imazhin e një bote që është më tepër virtuale sesa reale”, shkruan agjencia.
Për më tepër, shumë politikanëve në Ballkanin Perëndimor u pëlqen ajo çfarë shohin në median shtetërore ruse. Përveç Sputnikut, në këtë mes përfshihet e RT-ja, e cila deri në vitin 2009 quhej “Russia Today”.
Kjo ndodh për shkak se sistemi i vlerave shoqërore dhe politike, i prezantuar nga transmetuesit, korrespondon me vetë idealet politike të këtyre politikanëve: të shtetit që e luan një rol dominues në të gjithë sektorët.
“Sistemi Putin”, si alternativë për krizat e Perëndimit
Ky sistem, i ngritur nga presidenti rus Vladimir Putin, vazhdon të shërbejë si model për shumë politikanë në Evropën Juglindore.
“Për shembull, kryeministri hungarez, Viktor Orban, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski, lideri i partisë kryesore boshnjake në Bosnjë-Hercegovinë, Bakir Izetbegoviq, kryeministri slloven, Janez Jansha, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, krejt këta kanë shprehur haptas apo tërthorazi admirimin e tyre për presidentin e Rusisë”, ka kujtuar Deutsche Welle.
Në anën tjetër, mediat shtetërore ruse e portretizojnë një imazh të zymtë për vendet perëndimore. Thonë se kapitalizmi është buzë kolapsit. Tregjet e aksioneve po shkojnë drejt përplasjes. Pjesë të mëdha të popullatave po varfërohen. Shumica e qytetarëve kanë humbur besimin në sistemin perëndimor dhe në politikanët e mediat e tyre.
Për dallim prej tyre, mediat shtetërore ruse pretendojnë se ekonomitë e Rusisë dhe Kinës janë në lulëzim, si dhe se në këto vende janë krijuar shoqëri të lumtura dhe prosperuese.
Në këtë mënyrë, “njerëzit u janë falënderues liderëve të tyre politikë”, citon DW-ja shkrimet e vazhdueshme në mediat ruse.
Formula Sputnik
Bombardimi i vazhdueshëm me imazhe dhe narrative të tilla prej shtypit rus ka shtrënguar mediat serbe që gjatë vitit të fundit të raportojnë përherë e më negativisht për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Rusia dhe Kina, në anën tjetër, çohen në qiell me raportime skajshmërisht pozitive. Për to, kujton DW-ja, rrallë ndodh të ketë raportime kritike.
Një tjetër temë e vazhdueshme në buletinet e Sputnikut është ajo se Serbia mund të presë vetëm gjëra të këqija nga BE-ja dhe SHBA-ja.
“Si rezultat i kësaj, shkrimet që rëndom shfaqen nëpër ballinat e tabloideve raportojnë mbi përpjekjet e pretenduara të Perëndimit për shkarkimin e presidentit Vuçiq”, shkruan agjencia gjermane, duke e shtruar pyetjen pse Perëndimi do të dëshironte që ta shkarkonte Vuçiqin, kurse si Brukseli ashtu edhe Washingtoni e shohin atë si partnerin më të rëndësishëm në ndërmarrjen e reformave në Serbi dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Formula Sputnik është e qartë: Nuk ekziston ndonjë ndarje midis lajmeve dhe opinionit, burimet përdoren në mënyrë shumë selektive dhe nuk ka përpjekje për mbledhjen e informatave të hollësishme. Në vend të kësaj, raportimi ka për qëllim që ta dokumentojë dhe dëshmojë pikëpamjen e Moskës për botën si të saktë”, ka analizuar DW-ja.
Pos kësaj, agjencia shkruan se Rusia po i ushqen përplasjet kombëtare në Gadishullin ballkanik, teksa Sputniku qëndron vendosmërisht në anën e serbëve.
Për vite të tëra, Rusia është përpjekur që ta parandalojë integrimin e Ballkanit në strukturat euroatlantike.
Pasi pësoi dështim në rastin e anëtarësimit në NATO të Malit të Zi dhe të Maqedonisë Veriore, Moska ka përqendruar përpjekjet në Serbi dhe te serbët në Bosnjë-Hercegovinë.
“Megjithëse BE-ja e mbështet Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me miliarda euro dhe është e pranishme në rajon nëpërmjet një ushtrie diplomatësh dhe ekspertësh, ajo nuk ka pothuajse asnjë gjë për ta sfiduar makinerinë e fuqishme propagandistike të Rusisë”, kujton agjencia.
Nëse në të ardhmen Brukseli vazhdon të mos ndërmarrë ndonjë gjë për ta ngritur vetëdijen në Serbi për vetë të arriturat e tij dhe t’i nënvizojë avantazhet e rreshtimit me Perëndimin, BE-ja do ta “zhvillojë një luftë të humbur”.
“Me arsenalin e saj të mjeteve informative të fuqisë së butë, Moska ka kohë që i ka fituar zemrat e serbëve”, përfundon Deutsche Welle.