Botë

Gjermania përballë thirrjeve për vendimmarrje të shpejtë rreth Qeverisë

Meqë asnjëra prej partive të mëdha tradicionale nuk dëshiron që ta përtërijë “koalicionin e madh” të rivalëve, partia e radhitur si e treta – E gjelbra e ambientalistëve – dhe ajo që doli e katërta – Demokratët e Lirë – duket se e mbajnë çelësin për sa i përket shumicës parlamentare. Liderët e këtyre partive planifikojnë që të mbajnë takime me njëri-tjetrin gjatë kësaj jave me qëllim që t’i shqyrtojnë qëndrimet e përbashkëta para se të fillojnë bisedimet me shoqëruesit potencialë

Presioni është rritur për fillim të shpejtë të bisedimeve rreth formimit të Qeverisë së re gjermane, derisa ligjvënësit e porsazgjedhur kanë mbajtur takimet e para të martën ndërsa tensionet janë ngritur përbrenda bllokut të kancelares Angela Merkel, që ka shënuar rezultatin më të ulët ndonjëherë në zgjedhjet vendore.

Olaf Scholz dhe socialdemokratët e tij të qendrës së majtë, të cilët i fituan zgjedhjet parlamentare të së dielës me rezultat të ngushtë, kanë shprehur synimin që të fillojnë së shpejti bisedimet rreth formimit të koalicionit me dy partitë që po konsiderohen si çelësi për Qeverinë e ardhshme.

Meqë asnjëra prej partive të mëdha tradicionale nuk dëshiron që ta përtërijë “koalicionin e madh” të rivalëve, partia e radhitur si e treta – E gjelbra e ambientalistëve – dhe ajo që doli e katërta – Demokratët e Lirë – duket se e mbajnë çelësin për sa i përket shumicës parlamentare. Liderët e këtyre partive planifikojnë që të mbajnë takime me njëri-tjetrin gjatë kësaj jave, me qëllim që t’i shqyrtojnë qëndrimet e përbashkëta para se të fillojnë bisedimet me shoqëruesit potencialë.

“Të gjelbrit dhe Demokratët e Lirë janë ftuar nga ana jonë për të zhvilluar bisedime këtë javë, po qe se duan”, ka thënë lideri i grupit parlamentar të Socialdemokratëve, Rolf Muetzenich, para mbledhjes me ligjvënësit e porsazgjedhur dhe ata aktualë të partisë së tij.

Ndërkaq shpresa se blloku i qendrës së djathtë i Merkelit ta mbajë kancelarinë duket të jenë zbehur, pasi që rivali që e humbi betejën me Armin Laschetin për t’u bërë kandidat i bllokut për ta pasuar Merkelin është shprehur pesimist.

“Në këtë moment Olaf Scholzi qartazi ka gjasat më të mira për t’u bërë kancelar”, ka thënë Markus Soeder të martën.

Scholzi, nënkancelari në largim, ka thënë të hënën se dëshiron një qeveri të re para Kërshëndellave. Formimi i Qeverisë mund të marrë me javë apo edhe me muaj kohë në Gjermani, pasi që partitë i diskutojnë deri në hollësi planet e koalicionit të ri.

Pasi të dielën mbrëma siguroi se do të bënte çmos për formimin e një administrate të re, Laschet ka bërë të ditur të hënën se ende synon që ta prijë atë, porse më pas ka tingëlluar më i rezervuar, duke argumentuar se votuesit nuk ia dhanë mandatin asnjë partie.

Një ligjvënës i lartë i Demokratëve të Lirë u ka bërë thirrje të gjitha partive që të bëhen gati për bisedime deri në fund të kësaj jave, ndërsa Unionit CDU-CSU që të kuptojë se çfarë në të vërtetë do. Tanimë janë adresuar disa thirrje për dorëheqjen e Laschetit si lider i Unionit Kristiandemokrat, por deri më tani jo nga figurat më të shquara të bllokut.

Ndërkaq në Partinë e Gjelbër, Anton Hofreiter, njëri prej liderëve të grupit parlamentar e ka cilësuar si më të mundshmin opsionin e qeverisjes së njohur si “semafori”, një referencë kjo për ngjyrat identifikuese të partisë së tij, SDP-së dhe FDP-së.

“Natyrisht se do të bisedojmë me të gjitha partitë demokratike, por kjo është arsyeja pse ka më shumë të ngjarë që të përfundojmë me një ‘semafor’”, ka theksuar ai.

Një studim i porsarealizuar ka sugjeruar se çdo i dyti gjerman do të parapëlqente që Qeveria e re të përbëhet pikërisht nga koalicioni i ashtuquajtur “semafor”, përderisa vetëm një e katërta e të anketuarve janë shprehur për një “koalicion Xhamajka”, të prirë nga CDU-ja.

Vazhdimi i “koalicionit të madh” që ka qeverisur Gjermaninë për të paktën tetë vjetët e fundit po konsiderohet si jopopullor, pasi që është mbështetur vetëm nga 5 për qind e respondentëve në sondazhin e qendrës së anketimeve “Civey”.

Bundestagu me 735 anëtarë të rinj pritet që të mbajë takimin e tij të parë gjatë muajit të ardhshëm.