Botë

Rikthimi post-Merkel i ideologjive gjermane

“Nën Merkelin nga viti 2005, ajo marrëveshje anormale u bë normë. Nuk ka qenë mirë as për CDU-në dhe as për SPD-në”, shkruan Adam Tooze, kolumnist i revistës “Foreign Policy” dhe drejtor i Institutit Evropian në Universitetin Columbia. “Por ndërsa Merkel përgatitet të largohet nga skena e politikës gjermane, ndarja ideologjike e shtypur e Gjermanisë, është kthyer. Ajo tashmë e ka formësuar fushatën; së shpejti mund të formësojë fatin e Evropës”

Në atë që mund të rezultojë të jetë fjalimi i saj i fundit në Bundestag, javën e kaluar, kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje votuesve që ta votonin Armin Laschetin për të qenë pasardhësi i saj si udhëheqës i partisë Unioni Kristiandemokrat (CDU). Për Merkelin si kancelarë, të fliste hapur për hesape partiake nga foltorja e parlamentit ishte e pazakontë, vlerëson Adam Tooze, kolumnist i revistës “Foreign Policy”.

Shenjë dëshpërimi

Ai spikat se ky ishte tregues i dëshpërimit të partisë së saj, e cila ka rënë në nivelet më të ulëta historike të përkrahjes. Tooze thekson se Merkeli kërkoi votën për kandidatin e partisë së saj, duke kujtuar ndryshimin që do të vinte në rast të ndonjë qeverie koalicion ndërmjet të majtëve të SPD-së, të Gjelbërve dhe Die Linkes.

Vetë Laschet dhe Markus Söderi i Bavarisë, rivali i tij për udhëheqjen kombëtare të CDU-së, kanë paralajmëruar jo vetëm për Die Linke, një parti e formuar nga mbetjet e Partisë së Unitetit Socialist të Gjermanisë dhe të majtë të Gjermanisë Perëndimore. Ata gjithashtu kanë vënë në pikëpyetje historinë e vetë SPD-së së pasluftës, duke u kujtuar votuesve opozitën e SPD-së në vitet 1950, aleancën e saj me Francën që formoi Bashkimin Evropian, anëtarësimin origjinal të Gjermanisë Perëndimore në NATO dhe hezitimin e udhëheqjes së SPD-së më 1989, kur ishte fjala për ribashkimin gjerman, përmbledh Tooze, drejtor i Institutit Evropian në Universitetin Columbia.

“Ajo çfarë na kujton kjo është se një herë e një kohë, Gjermania e njihte një ndarje majtas-djathtas”, shkruan ai në shkrimin “Rikthimi post-Merkel i ideologjive gjermane”, botuar në “Foreign Policy”.

Megjithatë, CDU-ja e Merkelit qeverisi gjatë tri prej katër mandatave bashkë me socialdemokratët në atë që njihej si “koalicioni i madh”, me qëllim që të mos bëheshin pjesë e qeverisjes partitë e së majtës ekstreme dhe së djathtës ekstreme.

Kur Gjermania nuk kishte opozitë!

Image

Tooze kujton historinë e koalicionit të parë ndërmjet socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve. Në vitin 1966, kur ai opsion u miratua si mjeti i fundit në Gjermaninë Perëndimore, në përgjithësi u konsiderua si një shenjë e krizës demokratike, spikat ai. Me një shumicë prej 90 për qind në Bundestag, nuk kishte, në fakt, asnjë opozitë.

“Nën Merkelin nga viti 2005, ajo marrëveshje anormale u bë normë. Nuk ka qenë mirë as për CDU-në dhe as për SPD-në”, shkruan Tooze. “Por ndërsa Merkeli përgatitet të largohet nga skena e politikës gjermane, ndarja ideologjike e shtypur e Gjermanisë, është kthyer. Ajo tashmë e ka formësuar fushatën; së shpejti mund të formësojë fatin e Evropës”.

Revista amerikane kujton se nuk ishin kristiandemokratët që i dhanë fund ndarjes ndërmjet të djathtës dhe të majtës si boshti kryesor i politikës gjermane. Tooze thotë se këtë ndarje e davariti SPD-ja.

“Devijimi i SPD-së në neoliberalizëm nën kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder në fund të viteve nëntëdhjetë theu të majtën nga amësia socialdemokrate. Nën lidershipin e presidentit të atëhershëm karizmatik të SPD-së, Gerhard Lafontaine, e majta gjermanoperëndimore u shkri me Partinë e Socializmit Demokratik gjermanolindor – e dalë nga partia sunduese e epokës komuniste – për ta formuar Die Lienken”, thekson Tooz, duke kujtuar se në vitet 2000 do të shënohej një ndarje e thellë në politikat sociale dhe të jashtme ndërmjet SPD-së dhe Die Lienkes.

Derisa SPD-ja dhe të Gjelbrit njihen për pikëpamjet e tyre atlanticiste, Die Lienke vë në dyshim anëtarësimin e Gjermanisë në NATO. Ajo favorizon edhe lidhjen me Vladimir Putinin e Rusisë. “Shumë prej deputetëve të saj refuzuan të votonin për dërgimin e trupave për të ndihmuar mbrojtjen e evakuimit të fundit nga Kabuli”, thekson Tooze.

Një koalicion i mundshëm ndërmjet SPD-së, të Gjelbërve dhe Die Lienkes, nuk ishte përjashtuar hipotetikisht pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe 2013. Por, SPD-ja nuk e kishte shqyrtuar asnjëherë seriozisht në nivelin federal, ani pse kishte aleanca në nivel rajonal.

“Por joshja mbetet. Në politikën e brendshme – taksa, investime publike dhe klimë – SPD-ja, të Gjelbrit dhe Die Lienke janë të lidhur ngushtësisht”, paralajmëron Tooze, duke shtuar: “Dhe strategët e CDU-së e dinë fort mirë këtë”.

Humbësit e mëdhenj

Ai u bën një kronologji ngjarjeve të lidhura me negociatat ndërmjet CDU-së së Merkelit dhe SPD-së së Scholzit në vitin 2017, kur pati një çarje rebeluese në mesin e socialdemokratëve. Madje politikani i ri radikal, Kevin Kuhnert, i kishte prirë një lëvizjeje protestuese brenda partisë për ta ndalur arritjen e një koalicioni. Por centristët ia dolën ta dominonin partinë. Tooze kujton se Scholzi ka luajtur një strategji të dyfishtë, që në njërën anë ta sfidojë CDU-në e Merkelit, por pa hequr dorë prej disa politikave majtiste.

Drejtori i Institutit Evropian në Universitetin Columbia thotë se Scholzi personalisht është kundër një koalicioni të mundshëm me të majtën ekstreme. Por një prej mundësive është që të gjitha partitë e majta të bëhen bashkë për t’u prirë nismave për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të së dielës. Një tjetër opsion zgjedhor është ai që po njihet si semafori i trafikut, duke iu referuar ngjyrave të SPD-së, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë liberalë.

“Demokratët e Lirë janë humbës të mëdhenj të 25 vjetëve të fundit të politikës gjermane. Në regjimin e vjetër partiak gjermanoperëndimor, vazhdimisht ishin në pushtet, ose si partnerë koalicioni të CDU-së, ose të SPD-së. Prej vitit 1998, kanë qenë pjesë e Qeverisë vetëm një herë: në mandatin e dytë të Merkelit ndërmjet viteve 2009 dhe 2013, një periudhë e dominuar nga kriza e euros”, shkruan Tooze në “Foreign Policy”.

Zhgënjim në CDU

Anëtarët e kryesisë së Unionit Kristiandemokrat të kancelares Merkel janë mbledhur të hënën për të diskutuar për prospektet e marrjes së nismave për krijimin e një koalicioni të ri qeveritar, pavarësisht rënies së madhe të bllokut të së djathtës së qendrës. Njohësit e politikës gjermane paralajmërojnë se rezultatet do të diktojnë diskutime të gjata që mund të marrin javë, por edhe muaj deri në arritjen e marrëveshjes së mundshme për koalicionin e ardhshëm të ekonomisë më të madhe të Evropës, pas 16 vjetëve të qeverisjes nga Merkeli.

Një Qeveri e udhëhequr nga kristiandemokrati Armin Laschet – nëse konservatorët ia dalin të krijojnë shumicën e nevojshme – do të paraqiste vazhdimësi, por do të ishte qeveri e dobët dhe e ndarë thellësisht, vlerëson Tooze, duke iu referuar edhe një qeverie eventuale me Scholzin kancelar.

“Berlini do ta humbiste rolin e tij si i pari në mesin e të barabartëve në Evropë”, thekson ai, duke thënë se një qeveri kuq-kuq-gjelbër do të ofronte bazën për një politikës fiskale më pro-evropiane.

“Rreziku do të ishte se do të inkurajonte CDU-në dhe Demokratët e Lirë në opozitë të ashpërsonin qëndrimin e tyre ndaj borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, çfarë do të ishte katastrofë për të ardhmen”.

Megjithatë, rezultate e zgjedhjeve të së dielës kanë treguar se nuk pritet të bëhet ndonjë ndarje e qartë në politikën gjermane.

“Ka rreziqe për rihapje të ndarjes ndërmjet së majtës dhe së djathtës në politikën gjermane. Por ka edhe rreziqe për të pretenduar se dallimet ndërmjet progresivizmit dhe konservatorizmit të mos jenë reale. Sidoqoftë, nuk është e tepër të thuhet se e ardhmja e Evropës ka mbetur në baraspeshë”.

Përgatiti: Rexhep Maloku