Botë

Gjermania pas Angela Merkelit

Qeverisja gjashtëmbëdhjetëvjeçare e kancelares gjermane është afër fundit. Por kush do ta pasojë?

Votuesit amerikanë priren që t’i parapëlqejnë ndryshimet. Është rëndom vështirë që ndonjëra prej partive të mëdha ta kontrollojë Shtëpinë e Bardhë për më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme dhe partia e presidentit zakonisht has në telashe gjatë zgjedhjeve të mesmandatit.

Politika në Gjermani – vend ky që do të dalë në votime këtë të diel – është ndryshe.

Shumë votues gjermanë, sipas një analize të së përditshmes amerikane “New York Times”, e vënë stabilitetin në rend të parë.

67-vjeçarja, Angela Merkel, e cila ka menaxhuar Kancelarinë qysh nga viti 2005, tani po del në pension. Dhe që të dy kandidatët kryesorë për ta pasuar atë po bëjnë përpjekje të shumta për t’i bindur votuesit se janë opsioni i qëndrueshëm që do t’i vazhdojë shumicën prej politikave të saj, ka shkruar gazeta njujorkeze.

Por megjithëkëtë, largimi i Merkelit e hap për votuesit një dilemë: Nëse Gjermania, si vendi më i pushtetshëm përbrenda Bashkimit Evropian, do të vazhdojë të udhëhiqet nga një lider i qendrës së djathtë apo do ta ketë një lider të dytë të qendrës së majtë, njëjtë sikurse në fillim të viteve 80’.

“Përzgjedhja e votuesve do t’i formësojë politikat në Gjermani dhe, deri në njëfarë shtrirjeje, edhe në Evropë – për sa u përket rrjeteve të sigurisë, taksave, inovacionit dhe ndryshimeve klimatike”, ka shkruar NYT, duke numëruar disa udhëzime që duhen pasur parasysh lidhur me zgjedhjet e rëndësishme federale të Gjermanisë.

Kandidatët

Dy kandidatët kryesorë në garën elektorale të së dielës janë Olaf Scholz (63) nga Partia Socialdemokrate me anim kah e majta dhe Armin Laschet (60), shef i Unionit Demokristian të Merkelit, i qendrës së djathtë.

Partia e Scholzit ka prirë në sondazhe për javë të tëra, por gara është ngushtuar gjatë ditëve të fundit.

“Që të dy burrat po përpiqen që të përqendrohen në garë më shumë bazuar në cilësitë e tyre prej udhëheqësve, sesa në politikat specifike”, ka shkruar gazeta.

Scholzi ka plasuar një reklamë fushate që e përdor trajtën femërore të fjalës gjermane për kancelar, për të nënkuptuar se ai mund ta udhëheqë vendin njësoj sikurse Merkeli, ani pse ai është burrë. Lascheti e përfshiu Merkelin në tubimet e tij për fushatë gjatë kësaj jave, përkundër dëshirës së saj për ta shmangur një gjë të tillë.

Veprimi, sipas NYT-së, është një lloj pranimi i telasheve të tij për të bashkëvepruar dhe komunikuar me votuesit.

Në një pikë gjatë fushatës, Partia e Gjelbër, kandidatja e së cilës për kancelare është 40-vjeçarja Annalena Baerbock, i kryesonte të gjitha sondazhet, para rënies së mëvonshme.

Partia e së djathtës ekstreme dhe me politika anti-emigracion – Alternativa për Gjermaninë, e cila më 2017 u bë e para parti e këtij ekstremi në Gjermani që ka fituar ulëse në Parlament që nga Lufta e Dytë Botërore – pritet që të përfundojë e katërta apo e pesta në votimet e së dielës.

NYT-ja kujton se në Gjermani, votuesit nuk e zgjedhin kancelarin në mënyrë të drejtpërdrejtë, porse votojnë për anëtarët e Parlamentit. Sipas mesatares së dalë nga një sondazh i “Politicos”, Partia Socialdemokrate e Scholzit prin me rreth 25 për qind të votave, ajo konservatore e Laschetit renditet e dyta me 22 për qind, të Gjelbrit me 16 për qind të tretit, ndërsa partia e së djathtës ekstreme, merr 11 për qind të votave.

Dallimet

Zgjedhjet, sipas të gjitha gjasave, nuk do të sjellin ndryshime të mëdha në fushat kryesore politike, përfshirë emigracionin dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike të Gjermanisë me Kinën dhe Rusinë. Por, rezultati do të jetë përcaktues për disa çështje të brendshme politike, ka tërhequr vëmendjen “New York Times”.

Scholzi kërkon taksa më të larta për më të pasurit. Për këtë gjë, ai ka propozuar ngritje prej tre për qind në shkallën më të lartë të taksave, për ta çuar nivelin në 45 për qind. Ai ka bërë thirrje gjithashtu për pagë më të lartë minimale, për ta çuar pagesën prej 10.3 eurosh për një orë pune në rreth 12 euro.

Në këtë aspekt, Lascheti ka kundërshtuar rritjen e taksave, duke pretenduar kohë më parë se do të ishte “marrëzi” që shkalla e taksave të rritet përderisa ekonomia po rimëkëmbet nga pandemia e COVID-19.

Në rrafshin e mirëqenies sociale, pensionet përbëjnë një çështje të rëndësisë së madhe për Gjermaninë, ku popullata është duke anuar kah mplakja e vazhdueshme.

Scholzi është zotuar që të mos e ngrejë edhe më tutje moshën e pensionimit. (Tani është rreth 66 dhe do të ngrihet në 67 deri më 2031, gjë kjo që është tejet jopopullore për gjermanët). Nga ana tjetër, Lascheti ka thënë gjatë debatit më të fundit të kandidatëve se mbajtja në fuqi e pragut aktual në vend të ngritjes së tij “do të ishte në kurriz të popullatës së re”.

Një tjetër temë që sipas “NYT”-së është me rëndësi të madhe për gjermanët është ajo e klimës.

Partia e Scholzit është zotuar që ta adresojë çështjen e ngrohjes klimatike, me anë të zbatimit të një kufiri mbarëkombëtar të shpejtësisë – prej 130 kilometra në orë – dhe me shtimin e numrit të veturave elektrike. Për dallim prej tij, Lascheti ka ofruar specifika më të pakta klimatike dhe në vend të kësaj e ka nënvizuar nevojën e mbrojtjes së vendeve të punës.

Ama që të dy e mbështesin rënien graduale të përdorimit të thëngjillit deri më 2038, prag ky kohor për të cilin ekspertët klimatik kanë theksuar se është goxha i vonshëm.

Megjithëse të Gjelbrit gjermanë kanë pasur fare pak përparim në garë, të dy partitë kryesore kanë pretenduar se do të qeverisin me ta në një koalicion. Kjo do të thotë se ngrohja globale sipas të gjitha gjasave do të jetë një çështje e përhershme në Qeverinë e ardhshme gjermane.

E për infrastrukturën, agjenda e Scholzit ka shumë të përbashkëta me atë të presidentit amerikan, Joe Biden. Akëcili prej tyre duan që t’i rrisin taksat për të pasurit ashtu që të paguajnë për ato që ata i cilësojnë si investime jetike në të ardhmen e vendeve.

Mes të tjerash, NYT-ja raporton se Scholzi ka bërë thirrje për ndërtimin e rreth 100.000 njësive shtëpish të subvencionuara për adresimin e mungesës së shtëpive të përballueshme.

Lascheti, ndërkaq, e parapëlqen një qasje më të orientuar kah tregu. Ai synon që ta shfrytëzojë lehtësimin tatimor për ta trimëruar ndërtimin e 1.5 milionë shtëpive të reja gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Stabiliteti dhe pandemia

Ekziston një aspekt ndërlikues në zgjedhjet e së dielës, shkruan “New York Times”.

Lascheti është pasuesi i dukshëm i Merkelit, megjithëkëtë Scholzi është një anëtar i lartë i Qeverisë së saj, edhe si zëvendëskancelar, por edhe si ministër i Financave.

Qeveria aktuale është koalicion i dy partive më të mëdha. Shumë vëzhgues prej që vetëm njëra prej tyre të jetë e përfshirë në koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Kjo situatë e nënvizon rolin që stabiliteti e luan në këto zgjedhje, ndërkaq përgjigja kryesisht e suksesshme e Gjermanisë ndaj pandemisë është njashtu një shkak i rëndësishëm, shkruan gazeta amerikane.

“Sikur zgjedhjet të mbaheshin para pandemisë, të dy kandidatët sipas të gjitha gjasave do të mundoheshin më fort për ta veçuar veten prej Merkelit, popullariteti i së cilës ka qenë në rënie”, ka theksuar Christopher Schuetze, një gazetar nga Berlini.

“Tani, gjëja kryesore për që të dy këta burra është që të tregojnë se janë sikurse ajo”, ka thënë Schuetze për “New York Times”.

Përgatiti: Nita Lleshi