Tre kandidatët që shpresojnë të pasojnë Angela Merkelin si kancelare gjermane, dhe katër liderët e partive të tjera parlamentare, janë përplasur për një seri çështjes në debatin e fundit televiziv para zgjedhjeve të së dielës.
Për dallim nga debatet e kaluara që vazhdimisht ishin fokusuar në ndryshimet klimatike, varfërinë e çështje tjera të brendshme, kandidatët kanë diskutuar për herë të parë edhe për politikën e jashtme.
Të tre megjithatë kanë premtuar unitet në Evropë.
Olaf Scholz i Partisë Socialdemokrate, që aktualisht është edhe ministër i Financave, ka thënë se bashkëpunimi brenda Evropës është i domosdoshëm, por në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.
“Jemi shteti më i madh në mes të Bashkimit Evropian, me popullsinë më të madhe dhe fuqinë më të madhe ekonomike”, ka thënë Scholz. “Prandaj na duhet të sigurohemi që Evropa do të flasë me një zë më të bashkuar”.
Rivali më i afërt i tij, Armin Laschet, i Unionit CDU/CSU, ka folur po ashtu për një Evropë më të fuqishme e të bashkuar, duke shtuar se kontinenti duhet të bashkëpunojë në projektet e përbashkëta që kanë të bëjnë me armët.
“Na duhet një Evropë që flet me një zë. Na duhet të nisim projekte bashkë, edhe ato për armët që të jemi në gjendje të veprojmë bashkërisht”, ka deklaruar Laschet.
Kandidatja e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock, ka thënë se Evropës i duhet të gjejë një rrugëdalje se si të sillet me Kinën.
“Dua të sigurohem që të krijojmë një lëvizje të përbashkët evropiane drejtuar Kinës në të cilën asnjë shtet i BE-së nuk kthehet kundër tjetrit”, ka thënë ajo.
Kandidatët dhe liderët e partive u përplasën se si të zgjidhet çështja e mungesë së banesave në qytetet e mëdha, për gjuhën e urrejtjes një rrjete sociale dhe se si të tejkalohet radikalizimi i lëvizjes protestuese kundër masave ndaj pandemisë.
Unioni i Merkelit dhe kandidati i saj për kancelar, Laschet, janë rritur pak në sondazhet e javëve të fundit. Ai mbetet prapa Scholzit. Të Gjelbrit, që po shtyjnë për herë të parë një kandidate për kancelare, janë në vendin e tretë, por mund të jenë vendimtarë kur bëhet fjalë për formimin e qeverisë.
Gara e ngushtë dhe numri i partive me përkrahje të konsiderueshme nënkupton që qeveria e ardhshme do të vendoset nga negociatat për koalicionet pas zgjedhjeve.