Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka paditur mbesën e tij dhe gazetën “New York Times” lidhur me artikullin e vitit 2018, në të cilin ai akuzohej për përfshirje në skema të dyshimta të taksave.
Padia e dorëzuar në New York e akuzon Mary Trumpin dhe tre gazetarët për përfshirje në një skenar tinëzar rreth sigurimit të dokumenteve sekrete. Në padi thuhet gjithashtu se mbesa 56-vjeçare e Trumpit ka shkelur marrëveshjen që ia ndalonte publikimin e dokumenteve. Ajo ka konfirmuar se është burimi kryesor i memoareve të publikuara në vitin 2020.
Mary është e bija e Fred Trump Jr., vëllait të madh të ish-presidentit. Ai kishte vdekur më 1981, në moshën 42-vjeçare. Trumpi vazhdimisht ka mohuar përmbajtjen e librit të mbesës dhe kishte bërë përpjekje të pasuksesshme për bllokimin e publikimit të tij. Pjesë e padisë janë edhe tre gazetarë të “New York Times” që kontaktuan dhe bashkëpunuan me mbesën e Trumpit. Me këtë padi Trumpi ka kërkuar kompensim prej 100 milionë dollarësh.
Në librin e saj mbesa e Trumpit dëshmon se si ia ka ofruar dokumentet e taksave gazetës njujorkeze. Me këto dokumente gazeta publikoi një shkrim hulumtues për skemën e taksave gjatë viteve ’90. Gazeta ka sqaruar se teksti për taksat u ndihmoi amerikanëve që të informoheshin për një çështje që ishte në interes publik dhe se padia është tentim për të heshtur pavarësinë e mediave.