Botë

Merkel dënon vrasjen “e tmerrshme” të arkëtarit pas grindjeve për maskë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka quajtur të “tmerrshme” vrasjen e një arkëtari në një stacion karburantesh nga një konsumator i zemëruar, të cilit i është kërkuar të vendosë maskën teksa ka blerë birrë.

Vrasja e 20-vjeçarit, të shtunën, në qytezën Idar-Oberstein, besohet të jetë e para në Gjermani, e lidhur me rregullat e Qeverisë kundër koronavirusit.

“Qeveria gjermane dënon në instancat më të larta këtë vrasje të shënjestruar ”, ka thënë të mërkurën zëdhënësja e Merkelit, Ulrike Demmer. “Neve na vjen keq për vdekjen e këtij të riu, që është qëlluar për vdekje”.

I dyshuari i paidentifikuar, gjerman 49-vjeçar, është dorëzuar vetë të nesërmen në polici.

Ai është arrestuar dhe është marrë në pyetje për vrasjen.

Para zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen të dielën në Gjermani, ky rast ka shkaktuar tronditje, pasi janë duke u rritur shqetësimet se lëvizja kundër maskës mund të radikalizohet.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka thënë se vrasja duhet se është “rast i izoluar” dhe se lëvizjet e kundërshtarëve ndaj masave për ta luftuar koronavirusin, janë më të vogla, ndërkohë që hiqen kufizimet.

Megjithatë, ai ka pranuar se “disa aktorë” të lëvizjeve duket se janë bërë më ekstremistë dhe potencialisht më të dhunshëm. /Rel