Botë

BE-ja mbështet Francën në përplasje me Australinë: A po kthehet Amerika?

“Pse? Sepse me administratën e re të Joe Bidenit, Amerika po kthehet. Ky ishte mesazh historik i përçuar prej kësaj administrate të re dhe tani kemi dilema. Çfarë nënkupton – Amerika po kthehet? A është kthyer Amerika në Amerikë, apo diku tjetër? Ne nuk e dimë”, ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tyre për Francën gjatë takimit të tyre në New York për të diskutuar tërheqjen e Australisë nga marrëveshje 40-miliardë-dollarëshe me Parisin, duke e zëvendësuar atë me një të re me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Vendim befasues

Duke folur pas një takimi me dyer të mbyllura në margjina të Asamblesë së Përgjithshme vjetore të Kombeve të Bashkuara, ku janë mbledhur edhe liderët e botës, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se “më shumë bashkëpunim, më shumë koordinim, më pak fragmentim” ishte i nevojshëm për të pasur një rajon më paqësor dhe më stabil në Indo-Paqësor, ku Kina është fuqi e madhe në ngritje.

Australia ka njoftuar javën e kaluar ka anuluar porosinë e nëndetëseve konvencionale nga Franca dhe në vend të saj porositi nëndetëse me fuqi bërthamore të teknologjisë bërthamore amerikane dhe britanike bazuar në partneritetin e ri të sigurisë me këto vende, që mban emrin Aukus.

“Padyshim, jemi befasuar prej këtij vendimi”, ka theksuar Borrelli.

Vendimi ka zemëruar Francën dhe ministri i saj i Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, se po vazhdon trendët e pararendësit Donald Trumpi “për unilateralizmit, paparashikueshmërinë, brutalitetin dhe mosrespektimin e partnerit tuaj”.

Kombet e Bashkuara janë munduar që të zbusin zemërimin në Francën aleate të NATO-s. Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, pritet që të bisedojnë në telefon gjatë ditëve të ardhshme.

Duhet kohë

“Ne jemi aleatë, ne flasim dhe nuk fshehim elaborimin e strategjive të ndryshme. Kjo është arsyeja pse ka një krizë në besim”, është shprehur Le Drian. “Andaj, gjithçka që duhet janë qartësimet dhe shpjegimet. Mund të marrë kohë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë të hënën se pret që Bidenit të “riafirmojë përkushtimin tonë për të punuar me një prej partnerëve tanë më të vjetër dhe më të ngushtë në një mori sfidash me të cilat po përballet komunitetit botëror”, kur të flasë me Macronin.

Nuk dihet nëse përplasja do të ketë implikime për rundin e ardhshëm të bisedimeve tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Australisë, të parashikuar të mbahen më 12 tetor. Borrell u takua me ministren e Jashtëm të Australisë, Marise Payne, në New York.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se e ka pasur të vështirë të kuptojë lëvizjen e Australisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image

Aleanca e çuditshme

“Pse? Sepse me administratën e re të Joe Bidenit, Amerika po kthehet. Ky ishte mesazh hgistorik përçuar prej kësaj administrate të re dhe tani kemi dilema. Çfarë nënkupton – Amerika po kthehet? A është kthyer Amerika në Amerikë, apo diku tjetër? Ne nuk e dimë”, ka deklaruar ai para gazetarëve në New York.

Nëse Kina do të ishte fokusi kryesor për Uashingtonin, atëherë “do të ishte shumë e habitshme” që Shtetet e Bashkuara të bëheshin bashkë me Australinë dhe Britaninë, ka shtuar ai, duke e quajtur vendim që dobëson aleancën transatlantike.

Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian do të takohen në Pitsburg në Pennsylvania në fund të muajit për takimin inaugurues të Këshillit të porsathemeluar të Tregtisë dhe Teknologjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së, por Michel ka thënë se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian po kërkojnë që takimi të shtyhet.

Gjermania krah Francës

Gjermania ka mbështetur Francën në qortimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për negocimin tinëz të paktit të ri të sigurisë me Australinë dhe Britaninë e Madhe në kurriz të marrëveshjes që Qeveria australiane kishte arritur më parë me Parisin, derisa shefja e krahut ekzekutiv të BE-së e ka cilësuar si të papranueshme këtë sjellje.

Në një sinjal të qartë të zemërimit të bllokut evropian, ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë shtyrë përgatitjet për këshillin inaugurues të tregtisë dhe teknologjisë më 29 shtator me Shtetet e Bashkuara. Pakti konsiderohej si një hap i madh i avancimit të aleancës transatlantike. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se shtetet anëtare janë trajtuar në mënyrë të papranueshme, duke kërkuar shpjegime nga palët nënshkruese të paktit që njihet si Aukus.

“Një prej shteteve tona anëtare është trajnuar në një mënyrë që është e papranueshme, andaj ne duhet ta dimë çfarë ndodhi dhe pse”, ka deklaruar Von Der Leyen në mbrojtje të Francës.

Komisioni i drejtuar prej saj ka kërkuar që të mërkurën të mos diskutohen përgatitjet për këshillin e rëndësishëm tregtar dhe teknologjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka konfirmuar dy diplomatë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Australia prishi marrëveshjen për 12 nëndetëset konvencionale franceze, duke arritur marrëveshje të re me SHBA-në dhe Britaninë për tetë nëndetëse me fuqi bërthamore. Franca po shqyrton të gjitha mundësitë e reagimit pas tërheqjes së Australisë nga ujdi në vlerë prej 40 miliardë dollarëve, derisa aleatja më e madhe në BE, Gjermania, i ka qëndruar prapa, duke vlerësuar se Uashingtoni dhe Kambera kanë dëmtuar besimin ndërmjet aleatëve, që do të jetë vështirë të rikthehet.

“Rebelimi” i paralajmëruar britanik

“Ne nuk mund të mbështetemi ekskluzivisht te të tjerët, por duhet të bashkëpunojmë, dhe ne duhet të tejkalojmë dallimet tona (brenda BE-së) dhe të flasim me një zë”, ka deklaruar ministri gjerman i Çështjeve Evropiane, Michael Roth, para gazetarëve pas takimit me homologët e tij në Bruksel.

“Të gjithë ne duhet të ulemi pranë tryezës; besimi i humbur duhet të rikthehet – dhe afërmendsh se kjo nuk do të jetë punë e lehtë. Por ne dëshirojmë të japim kontributin konstruktiv”, ka shtuar ai.

Përplasja pason atë çfarë aleatët evropianë të NATO-s thonë se ishte dështim i Uashingtonit për të komunikuar dhe konsultuar gjatë tërheqjes perëndimore nga Afganistani.

Australia thotë se oferta e SHBA-së për qasje në teknologjinë amerikane për ndërtimin e nëndetëseve me fuqi atomike ishte tepër e mirë për t’u refuzuar. Do të bëhet vetëm shteti i dytë pas Britanisë më 1958 që do t’i ofrohet teknologjia e tillë, duke ia mundësuar Kamberas të ndihmojë Uashingtonin të frenojë Kinën nga supremacia ushtarake në rajon.

Australia i ka hedhur poshtë akuzat franceze se Parisi zyrtar nuk ishte njoftuar paraprakisht nga Qeveria e Scott Morrisonit për tërheqjen. Reagimi erdhi pas akuzave të Ministrisë së Jashtme të Francës një ditë më parë.

Edhe Britania, sikurse SHBA-ja, është e interesuar të ketë partneritet me Australinë për t’iu kundërvënë ngritjes së fuqishme të Kinës në ujërat e Detit të Kinës Jugore.

Britania po mundohet të marrë përgjegjësi botërore pas vendimit të saj për dalje nga Bashkimi Evropian.

Përgatiti: Rexhep Maloku