Pakti i ri ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Australisë mund të çojë drejt një bashkimi të kapaciteteve ushtarake, industriale dhe shkencore, vlerëson Rory Medcalf, rektor i Kolegjit të Sigurisë Kombëtare dhe autor i librit “Perandoria Indo-Paqësore: Kina, Amerika dhe kontesti për regjionin boshtor të botës”
Britania e Madhe porsa është bërë pjesë e një zhvillimi të jashtëzakonshëm në Indo-Paqësor, rajon ky thelbësor për zhvillimet detare të Azisë dhe Australisë e ku Kina ka nisur zgjerimin e rrëmbyeshëm të fuqisë ushtarake shantazhuese, vlerëson Rory Medcalf, rektor i Koelgjit të Sigurisë Kombëtare në një shkrim analitik në revistën “New Statesman”.
Pakti i ri i sigurisë, i njohur si Aukus, ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë, ka nxitur reagime të ashpra në Francë. Qeveria franceze tashmë kishte marrëveshje me Qeverinë australiane për prodhimin e nëndetëseve, por ekzekutivi i shtetit australian u tërhoq nga marrëveshja meqë me paktin e ri ka siguruar zotimin anglo-amerikan për prodhim të nëndetëseve me fuqi bërthamore. Shumëkush e ka parë këtë nguti të aleatëve transatlantikë si mundësi për t’iu kundërvënë Kinës në ngritje në ujërat e Detit të Kinës Jugore.
Parisi zyrtar ka akuzuar të dielën Australinë se ka gënjyer kur deklaroi se Franca ishte njoftuar paraprakisht për tërheqjen me qëllim që të vazhdonte negociatat me Londrën dhe Uashingtonin. Qeveria e kryeministrit Scott Morrison i ka hedhur poshtë akuzat.
Trekëndëshi i fuqishëm i sigurisë
“Luftanija ‘Mbretëresha Elizabeth’ e Mbretërisë së Bashkuar jo vetëm që ka kompletuar së fundmi manovrat ushtarake me marinën amerikane dhe atë japoneze në Paqësor, por kryeministri Boris Johnson tani u është bashkuar liderëve të Australisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të lansuar një trekëndësh të ri sigurie”, vlerëson Medcalf, autor i librit “Perandoria Indo-Paqësore: Kina, Amerika dhe kontesti për regjionin boshtor të botës”.
Marrëveshja është lansuar më 15 shtator pas një videolidhjeje të presidentit amerikan, Joe Biden, kryeministrit britanik, Boris Johnson, dhe homologut të tij australian, Morrison.
Medcalf shkruan se prioriteti fillestar i Aukusit do të jetë angazhimi i ekspertizës dhe teknologjisë amerikane dhe asaj britanike për të zhvilluar një flotë nëndetëse me kapacitetet bërthamore gjatë dekadave të ardhshme.
“Kjo ka rëndësi të shkallëzuar për Australinë dhe Indo-Paqësorin; për Kinën – kjo fuqi e mban atë në gji; dhe për Britaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropën”, analizon Medcalf.
Evropa është kritikuar vazhdimisht nga ekspertët amerikanë të sigurisë se nuk po bën sa duhet për t’iu bashkuar aleancës amerikane për t’iu kundërvënë Kinës në ngritje të madhe ekonomike dhe ushtarake. Madje ish-presidenti Donald Trump kërcënoi me ulje të fondeve amerikane për NATO-n nëse aleatët evropianë nuk do të përmbushnin zotimet e tyre financiare për Aleancën e fuqishme Veriatlantike.
Qenësore për Australinë
“Për Australinë është marrëveshje e rëndësishme edhe në aspektin ushtarak, pothuajse qenësore. Shqetësimet e ngritura lidhur me fuqinë kineze janë përshkallëzuar me kthesën totalitare të Pekinit, agresionit në Detin e Kinës Jugore dhe fushatat e ndërhyrjes politike”, shkruan rektori Medcalf në revistën britanike. “Kjo pikë e ulët pasoi edhe me bullizmin ekonomik, pasuar me thirrjen pa dorashka të Kamberës për të zbardhuar prejardhjen e COVID-19”, kujton ai.
Qeveria australiane ka qenë e zëshme në kërkesat e saj lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe me sjelljen agresive të Kinës brenda dhe jashtë territorit të saj. Ai vlerëson se kontinentit ishullor i duhet një flotë e fuqishme nëndetare, duke kujtuar se nëndetëset me të cilat aktualisht operon Australia janë modele të viteve nëntëdhjetë të dizajnuara nga Suedia. Mecalf thotë se është jetike që Kambera zyrtare të ketë flotë të fuqishme nëndetare për të ruajtur zhvillimin e saj ekonomik në një rajon që ka nisur të kthehet në arenë të përplasjeve të nxitura nga Pekini zyrtar.

“Njëherësh ujërat e Indo-Paqësorit janë kthyer në zona të kontestuara ashpërsisht, me flotën e modernizuar të Kinës që ua ka marrë anën atyre të Japonisë, Indisë, Australisë dhe të tjerave, hiq atë të Amerikës, me të cilën tani po hahet për dominim”, shkruan Medcalf.
Modeli Brexit në botën multilaterale
Që nga viti 2009, kur kryeministri i atëhershëm laburist, Kevin Rudd, premtoi se Australia do të merrej me aspektet e cenueshmërisë detare rajonale, shumëkush ka pyetur se “si” mund të siguroheshin 12 nëndetëset e premtuara, kujton dijetari në shkrimin e tij autorial në “New Statesman”.
Dhe përgjigjja dukej se do të sigurohej më 2016, kur Qeveria konservative e Malcolm Turnbullit do të arrinte një marrëveshje të rëndësishme për “nëndetëset e së ardhmes”, që do të dizajnoheshin dhe ndërtoheshin nga kontraktuesi shtetëror francez, “Grupi Detar”. Ishte menduar se tenderin do ta fitonte Japonia, por jo.
Megjithatë, menjëherë do të nisnin të shfaqeshin telashet për shkak të çmimit, kohës së prodhimit dhe kapacitetit të tyre.
“Njëherësh, po ngrihej agresiviteti i Kinës dhe shqetësimi i Australisë”, shkruan Medcalf, duke kujtuar se si qasja e Trumpit ndaj aleatëve perëndimorë ia mbushi mendjen Australisë se kishte ardhur koha që të vepronte veçmas. Madje, shton ai, modeli post-Brexit dëshmonte se si në skenën ndërkombëtare po turrej të merrej me mbrojtjen e interesave shtetërore individuale.
“Amerika e Bidenit dhe Britania e Johnsonit janë fokusuar në rreziqet ndaj interesave dhe vlerave të tyre nga fuqia agresive e Kinës, përfshirë edhe rrezikun që vjen nga rajone të largëta si rajoni i Indo-Paqësorit, që tashmë është kthyer në qendër graviteti për rritjen ekonomike dhe tensionet strategjike”, kujton ai.
Kthimi i Anglosferës
Dhe këto zhvillime kanë kthyer sigurinë në aspektin më të rëndësishëm për shtetet. Në këtë vazhdë edhe Australia është rrekur t’i mbrojë interesat e veta.
“Bashkëpunimi për nëndetëset bërthamore është kryelajm, sepse papritmas gatishmëria amerikane dhe britanike për të ndarë teknologjinë e tyre ishte çfarë ia mbushi mendjen Australisë për të marrë vendimin e vështirë për të hequr dorë prej lidhjes franceze”, vlerëson Medcalf në “New Statesman”.
“Por loja është shumë më e madhe se kaq. Kjo aleancë pothuajse tripalëshe bazohet në aftësi, interes konvergjent dhe mbi të gjitha në besim. Do të jetë e lehtë të karikaturohet si një Anglosferë e tejkaluar. Prapëseprapë, këto tri demokracitë më multikulturore të botës, që tani po definojnë identitetin e tyre më fort shkaku i idealeve se trashëgimisë së përbashkët”, vlerëson Medcalf. “Treshja ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një zotim më të madh ndaj njëri-tjetrit: asgjë më pak se syth i kapaciteteve shkencore, industriale dhe ushtarake”, shton Medcalf, duke kujtuar se ujdia është duartrokitur edhe nga shefi i Komitetit të Jashtëm të Parlamentit britanik, Tom Tugendhat.
Ruajtja e baraspeshave
“Por puna e madhe nis tani, sikurse edhe pyetjet e vështira. Australia nuk e ka luksin të gabojë, kështu që tri shtetet duhet të tregohen serioze dhe t’i mbajnë fjalët. Tre qeveritarë kanë hartuar një udhërrëfyes prej 18 muajsh ultimatum, për të nxjerrë specifikat e planet nëndetare”, shkruan Medcalf. “Kjo përfshin detyrën e ndarjes së teknologjisë së avancuar bërthamore me një vend që nuk ka as sektor bërthamor civil. Një befasi është fakti se opozita laburiste australiane është në të njëjtën vijë duke spikatur nevojën për një teknologji që kaherë e kishte konsideruar tabu”.
Por një sfidë para vetes për Australinë do të jetë menaxhimi i marrëdhënieve me Francën pas tensioneve të ngritura nga prishja e marrëveshjes. Parisi është zemëruar kuptueshëm me tri shtetet hisedare të marrëveshjes së re. Përtej ndikimit ekonomik, ujdia për nëndetëset ishte e rëndësishme për planet e presidentit Emmanuel Macron në ujërat e rëndësishme ndërkombëtare.
Rektori i Kolegjit të Sigurisë Kombëtare vlerëson se Australia dhe Franca – në të vërtetë krejt Bashkimi Evropian – kanë konvergjencë reale të interesave në një rajon që nuk dominohet nga asnjë fuqi botërore. Ai shton se do të ishte tragjike nëse trekëndëshi i ri do të dekurajonte manifestimin tashmë të dëshmuar të përkrahjes nga demokracitë e tjera liberale.
Por tashmë dihet mirëfilli se trekëndëshi i ri i sigurisë do të shkaktojë kokëçarje në mesin e elitës politike kineze që për vite me radhë po mundohet të ndërtojë garniturën e saj dominuese ushtarake detare në rajon.
Përgatiti: Rexhep Maloku