Kompania “Pfizer” ka bërë të ditur se vaksina e saj kundër COVID-19 po funksionon te fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç. Gjiganti farmaceutik do t’u kërkojë së shpejti autoriteteve amerikane që të lejojnë vaksinimin e kësaj grupmoshe.
Televizioni amerikan CNN ka raportuar javën e kaluar se autoritetet e shëndetit publik po shqyrtojnë mundësinë që nga nëntori të fillohet me vaksinimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe.
Vaksina e prodhuar nga “Pfizer” dhe partneri gjerman, “BioNTech” tashmë u ofrohet fëmijëve prej moshës 12-vjeçare. Por me kthimin e fëmijëve në shkollë dhe përhapjen e shpejtë të variantit Delta, që po prek edhe fëmijët, shumë prindër po presin nën ethe vaksinimin e fëmijëve të tyre më të vegjël.
Për fëmijët e shkollës, “Pfizer” ka kryer testime me dozë më të ulët – një të tretën e sasisë së dozës normale. Megjithatë pas dozës së dytë, fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç kanë zhvilluar antitrupa sikurse tinejxherët dhe të rriturit, ka thënë Bill Gruber, zëvendëspresidenti i “Pfizer”.
Doza te fëmijët është provuar se është e sigurt dhe me më pak efekte anësore – si mpirje krahu, temperaturë dhe dhimbje.