Partia e presidentit rus, Vladimir Putin, pritet të sigurojë fitore të theksuar, sipas sondazheve të kryera në ditën kur atje po zhvillohen zgjedhjet parlamentare.
Edhe rezultatet premilinare nga Komiteti Qendror i Zgjedhjeve, të bazuara deri më tani në vetëm 9% të votave të numëruara, tregojnë se Rusia e Bashkuar ka fituar 38,57% të votave.
Rezultatet fillestare po ashtu tregojnë se Partia Komuniste është në vendin e dytë, me 25,17%, e ndjekur nga partia nacionaliste LDPR, me 9,6% të votave.
Aleatët e kritikut më të madh të Putinit, Alexei Navalny, kanë kërkuar nga rusët që të ndjekin strategjinë e tij taktike të votimit, që nënkupton mbështetjen e kandidatit me më shumë mundësi për ta mposhtur Rusinë e Bashkuar në një zonë elektorale të caktuar.
Procesi i votimit ndërkohë, është dëmtuar nga raporte të shumta për shkelje, përfshirë mbushjen e fletëve të votimit, sigurinë e papërshtatshme dhe presionin ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve.