Botë

Bideni ka kërkuar të bisedojë me Macronin lidhur me Aukusin

Presidenti amerikan Joe Biden, dhe ai francez Emmanuel Macron, do të zhvillojnë në ditët në vijim një bisedë telefonike lidhur me tensionet mes dy shteteve për shkak të kontratës për nëndetëset, ka bërë të ditur një zëdhënës i Qeverisë franceze të dielën.

Njoftimi për bisedën vjen vetëm pak ditë pasi Franca i ka tërhequr ambasadorët e saj në Washington dhe Canberra, si kundërpërgjigje ndaj paktit të sigurisë të nënshkruar nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Austrialia, e cila i mundëson shtetit australian që të përfitojë nga teknologjia e dy shteteve të tjera për të ndërtuar nëndetëse me energji nukleare.

Ky pakt ka çuar në anulimin e kontratës miliarda dollarëshe të Australisë me Francën, në mënyrë që kjo e fundit të ndërtojë nëndetëse për të.

“Do të zhvillohet një bisedë telefonike ditëve të ardhshme”, ka thënë zëdhënësi Gabriel Attal për kanalin e lajmeve ABFM, duke shtuar se kërkesa për bisedë është bërë nga presidenti Biden.

Ndërkohë, siç është bërë e ditur, Macroni do të kërkojë sqarime nga homologu i tij amerikan.

Marrëveshja për paktin ndërmjet SHBA-së, Britanisë dhe Australisë është bërë publike të mërkurën nga presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe ai i Australisë, Scott Morrison.

Pakti i quajtur ndryshe edhe “Aukus” është kundërshtuar ashpër edhe nga Kina e cila tri shtetet nënshkruese i ka quajtur “me mentalitet të Luftës së Ftohtë”.