Botë

Zgjedhjet parlamentare në Rusi: Opozita ankohet për shkelje në votim

Aktivistët opozitarë rusë janë duke u ankuar se po heshtën në platforma digjitale, ndërsa sot është dita e fundit e zgjedhjeve parlamentare në Rusi, njofton BBC.

Ka pasur disa raportime për parregullësi, përfshirë edhe mbushje të kutive të votimit dhe votim të detyruar.

Komisioni zgjedhor i ka hedhur poshtë këto ankesa, duke thënë se janë pjesë e një fushate mirë të financuar nga jashtë.

Partia e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, pritet të mposhtë lehtësisht 13 partitë tjera që po marrin pjesë në zgjedhje.

Qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale janë hapur të premten dhe do të mbyllen sot në ora 20:00 me kohë lokale.

Votuesit janë duke zgjedhur 450 deputetë të Dumas në Moskë dhe disa qytete kanë prezantuar votimin elektronik.

Por, për herë të parë që nga viti 1993, monitoruesit zgjedhor nga OSCE-ja nuk do të jenë prezent për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet ruse.

Grupi monitorues i pavarur Golos, që autoritetet ruse e kanë quajtur si “agjent të huaj” – ka gjurmuar më tepër se 2750 raportime për shkelje të votimeve.

Komisioni Zgjedhor i Rusisë ka mohuar këtë, duke thënë se ka marrë vetëm 137 raportime.

Jashtë qendrave të votimit janë parë radhë të gjata.

Golos ka thënë se janë marrë një numër i mesazheve nga personat që kanë thënë se janë detyruar të votojnë nga punëdhënësit e tyre, e po ashtu edhe pretendime për manipulime zgjedhore.