Botë

Borrell: BE-ja synon raporte më pak armiqësore me Rusinë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar mbështetje për shoqërinë civile në Rusi, pavarësisht masave të ashpra të regjimit ndaj opozitës para zgjedhjeve parlamentare të kësaj jave.

Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian, Borrell ka kritikuar Rusinë për “krijimin e një spiraleje negative” në marrëdhëniet me BE-në, duke shtuar se blloku kërkon “marrëdhënie me më pak konflikte”, por se duhet të vazhdojë t’i mbrojë figurat e opozitës ruse, si Alexei Navalny, që aktualisht është i burgosur.

Disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Rusi, autoritetet filluan masat e ashpra kundër opozitës, duke u siguruar që kritikët më të njohur dhe më të zëshëm të Kremlinit të mos kandidonin. Atyre iu ndalua mbajtja e posteve publike me anë të ligjeve shtypëse. Parlamenti Evropian do të votojë të enjten për një raport me rekomandime për Këshillin dhe Komisionin mbi drejtimin e marrëdhënieve BE-Rusi.