Botë

Homazh i pazakontë për Helmut Kohlin

Bashkimi Evropian zhvillon sot një homazh të pazakontë për ish-kancelarin gjerman, Helmut Kohl, i cili vdiq më 16 korrik në moshën 87-vjeçare, me një ceremoni të organizuar në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg.

Bashkimi Evropian do të jetë në zi të dyfishtë edhe pas vdekjes së Simone Veil, e para kryetare e Parlamentit Evropian dhe një evropianiste e madhe, përcjell ksp.

Më shumë se 40 delegacione priten në Strasburg. Pjesa më e madhe e drejtuesve evropianë do të jenë të pranishëm.

Britanikja, Theresa May konfirmoi dje pjesëmarrjen e saj. SHBA-ja ka dërguar ish-presidentin Bill Clinton dhe delegacioni rus do të drejtohet nga kryeministri, Dmitri Medvedev. Gjithashtu priten të marrin pjesë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyau dhe presidenti ukrainas, Petro Porochenko.

Ceremonia do të zgjasë dy orë. Më pas trupi i ish-kancelarit do të transportohet menjëherë në Spire, në Gjermani, ku do të varroset. Bashkëshortja e tij ka refuzuar funerale kombëtare.

Ideja për një homazh evropian erdhi nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, 62 vjeç. Luksemburgezi është i vetmi drejtues evropian ende në funksion që e ka takuar rregullisht Helmut Kohl.

Kancelari ishte afeksionuar me kryeministrin e ri, në atë kohë 41 vjeç, të cilin e kishte quajtur “junior”. Është hera e parë në histori që Bashkimi Evropian organizon një homazh të tillë. Ai nderon një prej tre drejtuesve që kanë marrë titullin “qytetar nderi i Evropës”.

Dy të tjerët janë francezi, Jean Monet, i cili vdiq në vitin 1979 dhe Jacques Delors, 91 vjeç. Shëndeti i tij jo i mirë nuk e lejon ish-presidentin e Komisionit Evropian të marrë pjesë në këtë ceremoni. Selia e Parlamentit Evropian në Strasburg, simbol i Evropës së bashkuar, u vu menjëherë në dispozicion për ceremoninë.

“Helmut Kohl ishte një evropian i madh. Ai e donte Strasburgun dhe Alzasen”, kujton kryetari i Bashkisë së kryeqytetit alzasian, Roland Ries.

Por, Strasburgu nuk organizon homazh. Qyteti garanton vetëm sigurinë e delegacioneve me rreth 2 000 policë dhe xhandarë të dërguar për këtë rast.

Trupi do të vendoset në sallonin e nderit, i mbuluar me flamurin evropian. Ai do të vendoset në ambientet e Parlamentit Evropian nga tetë ushtarë gjermane.

Një film me titullin “Helmut Kohl, një evropian i madh” që flet për jetën e ish-kancelarit do të shfaqet menjëherë më pas.

Me kërkesë të bashkëshortes së tij, tre homazhe do të bëhen nga ish-kryeministri spanjoll, Felipe Gonzales, nga Bill Clinton dhe nga Dmitri Medvedev.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe më pas kancelarja gjermane Angela Merkel do të mbajnë dy fjalimet e fundit.

Homazhi evropian u eklipsua nga mosmarrëveshjet brenda familjes së babit të ribashkimit gjerman.

Bashkëshortja e tij e dytë, Maike Kohl-Richter, kërkonte të ndalonte, Angela Merkel të mbante fjalim gjatë homazhit evropian sepse Helmut Kohli nuk e kishte falur kurrë atë për eliminimin e tij nga partia konservatore në vitin 1999, pasi denoncoi skandalin për kutitë e zeza të CDU-së.

Në fund të ceremonisë në Strasburg, trupi i tij do të mbulohet nga flamuri gjerman dhe do të transportohet me helikopter në Ludwigshafen.