Botë

Si u zhvillua lufta më e gjatë në historinë e Amerikës?

Nga sulmet e 9/11, misionin e parë të CIA-s, vrasja e Bin Ladenit e deri te sulmi kamikaz në Kabul.

SHBA-ja mbrëmjen e 30 gushtit përfundoi misionin e saj në Afganistan, duke i dhënë fund luftës më të gjatë në histori të Amerikës.

11 shtator 2001

Lufta e SHBA-së në Afganistan nxitet nga sulmi që la të vrarë 2,977 persona.

Komploti i sulmit me aeroplan në Kullat binjake në New York, u krijua në Afganistan nga grupi terrorist Al Qaeda, lider i së cilës ishte Osama bin Laden, i cili gjendej në Afganistan nën mbroje të talebanëve.

7 tetor 2001

SHBA-ja lansoi sulme ajrore drejt forcave talebane dhe atyre të Al Qaedas. Një numër i vogël i forcave speciale dhe agjentët e CIA-s hyjnë në Afganistan për të ndihmuar direkt në fushatën e bombardimeve dhe organizimin e forcave opozitare afgane.

13 nëntor 2001

Forcat aleate të mbështetura nga SHBA-ja hyjnë në Kabul, ndërsa talebanët ikin. Brenda muajit, liderët talebanë largohen nga Afganistani dhe hyjnë në Pakistan.

Dhjetor 2001

Forcat e SHBA-së bombardojnë kompleksin “Tora Bora” në Afganistan, ku raportohej se po fshihej Bin Ladeni, por ai u zhduk.

2 maj 2003

Zyrtarët e SHBA-së zyrtarisht deklarojnë fundin e shumicës së operacioneve të mëdha në Afganistan. Nën urdhrat e presidentit George W. Bush, forcat ushtarake amerikane fillojnë përgatitjet për pushtimin e Irakut. Kjo i lejoi talebanët të rigrupohen.

2006-2008

Shumica e forcave të SHBA-së fokusohen në Irak, vetëm një kontingjent i vogël qëndrojnë në Afganistan. Talebanët kërcënojnë të rimarrin një pjesë të madhe të territorit, veçanërisht në jug. Një mision i NATO-s dërgon qindra trupa të tjerë, shumica prej tyre forca britanike.

17 shkurt 2009

Derisa Washingtoni po tërhiqej nga Iraku, presidenti i sapoinauguruar, Barack Obama vendos të dërgojë edhe më shumë trupa në Afganistan. Në vendimin e parë të tij madhor si komandant i forcave, ai vendos të dërgojë edhe 17 mijë ushtarë të tjerë, për të forcuar 38 mijë ushtarë të SHBA-së dhe 32 mijë ushtarë të tjerë nga 40 shtetet anëtare të NATO-s që tashmë gjendeshin atje. Më vonë dërgohen edhe shumë ushtarë të tjerë, duke rritur numrin e tyre në mbi 100 mijë.

1 maj 2011

Bin Ladeni vritet nga forcat speciale të SHBA-së në Pakistan. Një ekip i Navy SEALS hyri në shtëpinë ku po fshihej ai, në mes të natës dhe e vrau atë. Kjo mbyll një nga ndjekjet më të famshme të arkitektit të sulmit më të tmerrshëm terrorist që ka ndodhur ndonjëherë në tokën amerikane.

27 maj 2014

Washingtoni nis tërheqjen e trupave të saj dhe nis mbështetjen dhe trajnimin e ushtrisë afgane. Obama krijon planin për tërheqjen e të gjithëve, përveç 9,800 trupave amerikane, deri në fund të vitit, ndërsa pjesa tjetër planifikohej të tërhiqej deri në fund të 2016-s.

28 dhjetor 2014

Misioni ushtarak i SHBA-së zyrtarisht përfundon, pas kalimit të shumicës së pushtetit te trupat afgane.

21 gusht 2017

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, prezanton strategjinë e tij, për të lënë disa trupa amerikane për të forcuar dhe mbështetur afganët me qëllim që t’i shtyjnë forcat talebane drejtë negociatave për paqe me afganët.

29 shkurt 2020

Washingtoni nënshkruan një marrëveshje me talebanët në Doha për largimin e forcave të SHBA-së. Talebanët pajtohen që t’i ndalin sulmet drejt forcave të SHBA-së, të mos lejojnë që territori i tyre të përdoret për terrorizëm dhe të mbajnë takime me Qeverinë afgane.

14 prill 2021

Presidenti Biden tregon se forcat e SHBA-së do të tërhiqen deri më 11 shtator, duke zbatuar marrëveshjen me talebanët, të arritur nga ish-presidenti Trump.

2 korrik 2021

Trupat e SHBA-së mbyllin bazën kryesore në Bagram, 40 milje larg Kabulit.

15 gusht 2021

Pas shumë javësh avancime, duke marrë territor në të gjithë vendin, talebanët e marrin Kabulin pa luftë. Presidenti Ashraf Ghani largohet nga shteti. SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë nisin një fushatë urgjente për largimin e qytetarëve të tyre dhe qindra afganëve, të cilët i ndihmuan ata, nga aeroporti i Kabulit.

26 gusht 2021

Shteti Islamik i njohur si ISIS-K kryen dy sulme vetëvrasës me bomba afër dyerve të aeroportit, të cilat ishin të stërmbushura me njerëz, duke vrarë shumë civilë dhe 13 ushtarë amerikanë, që shënon sulmin më të madh ndaj forcave amerikane për më shumë se një dekadë.

Vetëm pak ditë më pas, SHBA-ja lanson sulme ajrore me dronë drejt bazave të ISIS-K në Kabul. ISIS-K gjithashtu lanson 5 raketa drejt aeroportit të Kabulit, derisa SHBA-ja me aleatët tentonin t’i largonin shtetasit amerikan dhe aleatët afganë nga aty.

30 gusht 2021

Gjenerali i SHBA-së, Grank McKenzie, shef i komandës qendrore, njofton për mbylljen e fushatës për largimin e trupave amerikane. Talebanët festojnë me të shtëna armësh zjarri në ajër largimin e forcave perëndimore pas 20 vjetësh, raporton Dailymail.