Fotografi nga sateliti mbi Kabul kanë shfaqur të enjten turma të mëdha njerëzish dhe veturash përreth aeroportit ndërkombëtar të Kabulit, me afganët që po përpiqen të ikin nga shteti.
Shumë qytetarë po përpiqen të ikin nga Afganistani pas pasigurisë dhe shqetësimeve se talebanët do të hakmerren e do të ushtrojnë dhunë ndaj tyre.
Në aeroportin e Kabulit, evakuimet me aeroplanë ushtarakë janë duke vazhduar, por qasja në aeroport mbetet e vështirë.
Të enjten, talebanët shtinë në ajër në mënyrë që të kontrollojnë turmat që mblidheshin nëpër muret e aeroportit.
Pas startit kaotik me njerëzit që nguteshin nëpër autostrada për të ikur më shpejt me aeroplanë, ushtria amerikane ka nisur të organizojë evakuimet dhe tashmë po evakuojnë nga 5000 deri 9000 njerëz në ditë.