2 perditesime
19:24

Pamje satelitore, afganët në aeroportin e Kabulit

Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në aeroportin e Kabulit që nga e diela, duke kërkuar shpresë për t'u larguar nga vendi, pas rimarrjes së territorit nga forcat talebane.

BBC-ja ka publikuar pamje nga sateliti, se si aeroporti dhe rrugët e Kabulit janë të bllokuara nga qytetarët. Këta të fundit kanë deklaruar se janë pa shpresë dhe se perëndimi i ka lënë në mëshirë të fatit.

 

18:42

Dërgohen 500 ushtarë shtesë amerikanë në aeroportin e Kabulit

Pentagoni ka njoftuar se janë dërguar 500 ushtarë shtesë amerikanë në aeroportin e Kabulit për të vënë nën kontroll situatën, raporton BBC.

Trupat amerikane ende po punojnë për të vendosur sigurinë në aeroport, ndërsa janë anuluar gjitha fluturimet.

Aktualisht në aeroportin e Kabulit janë 2500 ushtarë amerikanë, ndërsa 500 shtesë do të vijnë në orët në vijim, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Ai ka thënë se synimi është të evakuohen mijëra persona në ditë me t’u rikthyer fluturimet.

“Ne po llogarisim që në orët në vijim të kthejnë operacionet ajrore në aeroport”, është thënë nga Pentagoni.

17:59

Situata në aeroportin e Kabulit vazhdon të jetë e rëndë, ndalohen gjitha fluturimet

Situata në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit është shumë e brishtë dhe zyrtarët amerikanë po e shqyrtojnë të evakuojnë gjithë amerikanët e të lënë afganët prapa, raporton “CBS News”.

Vendimi për të braktisur aleatët afganë ende nuk është marrë, ka treguar korrespodenti i CBS-së, David Martin, por “është opsion” dhe do të shqyrtohet nëse trupat amerikane nuk marrin nën kontroll aeroportin.

Të hënën, trupat amerikane kanë vrarë dy afganë të armatosur që ishin pjesë e turmës që kishin pushtuar aeroportin. Ndërkohë raportohet se tre persona kanë vdekur pasi janë rrëzuar nga aeroplani. Agjencia AP madje ka raportuar se në total kanë vdekur 7 persona gjatë kaosit të evakuimit.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të mbajë konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë për situatën në Afganistan. Konferenca është paraparë të mbahet rreth orës 21:45.

Pentagoni ka njoftuar se gjithë fluturimet ushtarake dhe civile nga dhe për në aerportin e Kabulit janë ndaluar, është thënë nga zëdhënësit e Pentagonit.

Është e paqartë se kur do të rikthehen fluturimet. Trupat amerikane po punojnë për të siguruar aeroportin.

Raportohet se kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së është takuar me zyrtarë të lartë të talebanëve, duke u kërkuar atyre që të mos ndërhyjnë në evakuimet e SHBA-së nga aeroporti i Kabulit, ka thënë një zyrtar i mbrojtjes i SHBA-së për agjencinë “AP”.

Mësohet se në takimi e të dielës në Doha të Katarit, gjenerali Frank McKenzie ka arritur marrëveshje me talebanët që ata të mos ndërhyjnë në evakuime.

Forcat amerikane ende po punojnë për të siguruar aeroportin.

E organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International ka kërkuar që të veprohet për të evituar strategji të mëtutjeshme.

“Ajo që po jemi dëshmitarë është tragjedi që është dashur të parashihej dhe evitohej. Duhen veprime të shpejta e vendimtare nga komuniteti ndërkombëtar. Mijëra afganë janë në rrezik serioz nga shtypjet e talebanëve – nga akademikët e gazetarët e deri te aktivistët e shoqërive civile dhe mbrojtësit e të drejtave të grave – janë në rrezik të braktisen në një të ardhme thellësisht të paqartë”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard.