Talebanët kanë arritur në periferi të kryeqendrës së Afganistanit, Kabul, pasi kanë marrë nën kontroll shumicën e shtetit, raporton BBC. Ministria e Brendshme e Afganistanit ka thënë se po mbahen negociata për të siguruar një bartje paqësore të pushtetit.
Në një deklaratë nga talebanët është thënë se luftëtarët janë urdhëruar të qëndrojnë në periferi të kryeqendrës.
“Ne i sigurojmë qytetarët në Afganistan se nuk do të ketë hakmarrje ndaj askujt”, ka thënë një zëdhënës i talebanëve për BBC.
Rusia është duke planifikuar të thërrasë një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën në Afganistan.
Ka thënë se nuk do ta mbyllë ambasadën e saj, pasi i është ofruar garanci nga talebanët.
Kanë kaluar afro 20 vjet që kur talebanët janë rrëzuar nga pushteti nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja.
Fusha ajrore në Bagram dhe burgu, që është rreth 40 kilometra në veri të qendrës së Kabulit, janë në duar të talebanëve.
SHBA-ja është duke evakuuar stafin e saj nga ambasada në Kabul, ndërsa njëjtë po veprojnë edhe Britania e Madhe e Gjermania.
Herët të dielën, militantët talebanë kanë marrë nën kontroll Jalalabadin, një qytet kyç në lindje, pa luftime.
Kjo nënkupton se talebanët kanë siguruar rrugët që lidhin shtetin me Pakistanin.
Mësohet se një delegacion i nivelit të lartë qeveritar i Afganistanit do të udhëtojë së shpejti në Doha të Katarit për bisedime me talebanët, raporton CNN.