Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të marrë pension prej rreth 15,000 eurosh, sipas përllogaritjeve të shoqatës gjermane të tatimpaguesve. 67-vjeçarja Merkel do të largohet nga skena politike e Gjermanisë, pas zgjedhjeve parlamentare të muajit shtator.
Pensioni i saj, sipas raportimit të rrjetit televiziv “Al-Jazeera”, është përllogaritur në bazë të rrogave që ajo ka marrë si përfaqësuese e parlamentit federal, si ministre federale dhe si kancelare. Si të gjithë ish-kancelarët dhe ish-presidentët e shtetit, Merkeli do ta ketë të drejtën për ta gëzuar edhe një zyrë zyrtare.
“Al-Jazeera” ka shkruar se shteti do t’ia paguaj gjithashtu sekretarin e zyrës, dy asistentë, daktilografin dhe shoferin.
Merkeli ka qenë kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005, ndërsa më 2018 është tërhequr nga posti i kryetares së Unionit Demokristian (CDU) teksa ka njoftuar se nuk do të kandidojë për mandatin e pestë për kancelare. Ajo gjatë korrikut kishte bërë të ditur se pas largimit nga detyra planifikon që të pushojë dhe të mendojë se çfarë dëshiron që të bëjë.
“Për këtë nuk kam pasur kohë gjatë 16 vjetëve si kancelarë. Andaj pak do të pushoj. Dhe mandej do të mundohem që të lexojë”, kishte thënë Merkel, raporton “Al-Jazeera”.