Botë

Motra e Kim Jong-unit kërcënon Korenë Jugore për stërvitjet me SHBA-në

Motra e pushtetshme e liderit koreano-verior, Kim Jong-un, ka kritikuar ashpër Korenë Jugore për vazhdimin e stërvitjeve ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kim Yo-Jong ka thënë të martën se stërvitjet përbëjnë parapërgatitje për pushtim dhe ka paralajmëruar se Veriu do të angazhohet në fuqizimin e kapaciteteve të tija për sulme parandaluese.

Deklarimi i saj është bërë disa orë pasi mediat koreano-jugore raportuan se ushtritë aleate do ta nisin stërvitjet përgatitore katërditore, para mbajtjes së ushtrimeve të simuluara kompjuterike nga 16 deri më 26 gusht. Yo-Jong e përshkroi vendimin e Jugut për mbajtjen e stërvitjeve, me gjithë paralajmërimin e Veriut, si “sjellje perfide” që do t’i shpinte aleatët të përballen me “kërcënim edhe më të madh të sigurisë”. Dy Koretë janë teknikisht ende në luftë, pasi që konflikti i viteve 1950-1953 përfundoi vetëm me një armëpushim.