Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shenja të ndërtimit të kampeve për burgosjen e disidentëve në Bjellorusi

Aktivistët opozitarë në Bjellorusi kanë shprehur tash e sa kohë frikën se regjimi autoritar mund t’u kthehet kampeve të vrazhda të burgimit, po qe se burgjet konvencionale stërmbushen. Po ngrihen gjithashtu shqetësimet për një valë tjetër të shtypjes dhe të arrestimeve në kundërpërgjigje ndaj demonstratave për shënimin më 9 gusht të përvjetorit të zgjedhjeve të kontestuara presidenciale që e nxitën lëvizjen protestuese vitin e shkuar

Tri nivele të mburojës së elektrizuar. Kamera të reja të sigurisë. Një rojë ushtarake dhe një shenjë që shkruan: “Hyrja e ndaluar”. Dritare me grila dhe xham reflektues në kazerma të porsarestauruara. Në godinat krejtësisht bosh, përjashtuar zyrtarin e herëpashershëm të sigurisë, thellë në pyjet e Bjellorusisë autoritare.

Krejt këto, sipas një hulumtimi të transmetuesit televiziv amerikan CNN dhe deklarimit të dëshmitarëve, janë indikacione të përgatitjes së një kampi të mundshëm të burgimit për disidentët politikë që po ndërtohet vetëm një orë vozitje larg kryeqytetit bjellorus Minsk, afër Nobokolosovos. Shtrihet në uzinën për ruajtjen e raketave të kohës sovjetike, në një hapësirë prej 200 hektarësh. Nuk dihet se cila pjesë e godinës është ristauruar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Frikë e kahershme

Aktivistët opozitarë në Bjellorusi kanë shprehur tash e sa kohë frikën se regjimi autoritar mund t’u kthehet kampeve të vrazhda të burgimit, po qe se burgjet konvencionale stërmbushen. Po ngrihen gjithashtu shqetësimet për një valë tjetër të shtypjes dhe të arrestimeve në kundërpërgjigje ndaj demonstratave për shënimin më 9 gusht të përvjetorit të zgjedhjeve të kontestuara presidenciale që e nxitën lëvizjen protestuese vitin e shkuar.

Trazira të tjera mund të ndodhin edhe në prag të referendumit kushtetues të planifikuar për më vonë gjatë këtij viti apo në vitin 2022.

Franak Viacorka, këshilltar i lartë i lideres opozitare bjelloruse, Sviatlana Tsikhanovskaya, i ka shikuar pamjet e siguruara nga CNN-i.

“Nuk është befasi se (presidenti Alexander Lukashenko) po mundohet të ndërtojë diçka të ngjashme me një kamp të rregull burgimi, ngase një valë e re e protestave do të nisë gjithsesi. Ai po e kupton këtë dhe dëshiron gjithashtu që të përgatitet më mirë sesa vitin e shkuar”, ka thënë ai duke folur për rrjetin amerikan.

Disidentët bjellorusë në gushtin e vitit të shkuar kanë thënë se policia i kishte mbajtur për disa ditë në një kamp të burgosjes që përdorej më herët si qendër për trajtimin e të varurve nga droga.

Në tetor, një grup aktivist i ish-zyrtarëve të sigurisë, ByPol, publikoi një xhirim për të cilin pretendoi se ishte bërë nga zëvendësministri i Jashtëm, Mikalay Karpyankou, dhe në të cilin ai thotë se kampet “e restauruara” të burgimit duhet të ndërtohen me qëllim të mbylljes së protestuesve.

Në këto xhirime, CNN-i ka raportuar se si Karpyankoui ka propozuar ndërtimin e një kampi në qendrën ekzistuese disiplinore të qytetit Ivatsevichy.

Qeveria bjelloruse asokohe i denoncoi xhirimet si “lajme të rreme”.

Qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të CNN-it për të komentuar rreth shkrimit.

Televizioni nuk ka arritur që të hyjë në brendi të ngrehinës afër Novokolosovos dhe aty nuk ka shenja se kampi tanimë strehon të burgosur. Një zyrtar perëndimor i Inteligjencës i tha CNN-it se përdorimi i godinës si kamp i burgimit është “i mundur”, ndonëse nuk ka dëshmi të drejtpërdrejtë për këtë.

Image

Banorët lokalë në Novokolosovo i referohen godinës si “kampi”. Një banor, të cilit rojat e ushtrisë së fundi i kishin thënë që të largohej kur iu afrua zonës, ka shpjeguar ngjarjen.

“Miku im Sasha, ndërtues, më tha se e kishin riparuar këtë vend. Kishte tri nivele të telave me gjemba dhe ishin të ngarkuar me rrymë. Po mblidhja kërpudha aty, kur një ushtarak m’u afrua dhe më tha se nuk mund të vija këtu”, ka thënë ai për CNN-in.

Dy dëshmitarë të tjerë u janë referuar gjithashtu patrullave ushtarake.

Rreziku për disidentët e diasporës

Të dielën, atletja olimpike Kristina Timanovskaya tha se ishte shtrënguar të shkonte në aeroportin e Tokios, pasi i kritikoi zyrtarët olimpikë bjellorusë në Instagram. Ajo u detyra ta kërkonte ndihmën e policisë japoneze për ta shmangur kthimin e saj të detyrueshëm në Minsk, ku tha se do ta priste ndëshkimi.

Ajo aterroi të mërkurën në Varshavë të Polonisë, ku i janë ofruar statusi i refugjatit dhe viza humanitare.

Komiteti kombëtar Olimpik i Bjellorusisë ka njoftuar se ajo është tërhequr nga ekipi olimpik shkaku i çështjeve emocionale dhe psikike, të cilat ajo i mohon. Të martën, frika për diasporën përherë më e madhe e disidentëve bjellorusë është rritur edhe më shumë kur aktivisti Vitaly Shishov është gjetur i vdekur në një park në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Ai dukej të ishte varur, porse kishte gërvishtje në trup. Policia po i heton mundësitë midis vetëvrasjes apo vrasjes.

Në maj, regjimi i vendit e ndali në mënyrë skandaloze një aeroplan në Minsk dhe e arrestoi gazetarin disident Roman Protasevich, në një incident të përshkruar nga disa liderë perëndimorë si “rrëmbim shtetëror”.

Lëvizja protestuese bjelloruse është tkurrur theksueshëm si pasojë e brutalitetit policor, duke bërë kësisoj që shumica e demonstratave tani të marrin formën e tubimeve të shkurtra, të filmuara dhe të postuara online. Megjithëkëtë, ka shenja se aktivistët po zbatojnë masa të reja të përçarjes aktive.

Ekipi i CNN-it ka folur me aktivistë që thonë se kanë ndërmarrë hapa për sabotimin e linjave hekurudhore, të udhëhequra nga Qeveria bjelloruse. Ata i dërguan CNN-it një seri videosh, ku shihen tek e përdorin një teknikë të veçantë për vonimin e trenave pa shkaktuar dëme. CNN-i nuk e zbardh lokacionin apo natyrën e kësaj taktike dhe nuk ka qenë në gjendje që ta verifikojë në mënyrë të pavarur efikasitetin e veprimeve protestuese.

Njëri prej organizatorëve, i cili ka thënë se aktivitetet e tyre kanë shkaktuar ngadalësimin e trenave deri në 20 kilometra në orë në disa zona, e ka specifikuar për CNN-in synimin e veprimit.

“Qëllimi kryesor është që t’i shkaktohen dëme ekonomike regjimit, ngase vonesat i detyrojnë që të paguajnë gjoba të majme”, ka treguar organizatori.

Shumica e hekurudhave që kalojnë përgjatë Bjellorusisë bartin mallra nga Kina drejt Bashkimit Evropian. Andaj vonesat e shpeshta mund të kenë rëndësi më të thellë nëpër Kontinent, si dhe për tregtinë ndërkombëtare, duke e goditur fort në xhep regjimin e Lukashekos.

Përgatiti: Nita Lleshi