Botë

Etiopia përzë Serbinë nga “shtëpia e Titos”

Serbia ka disa muaj që ka ulur marrëdhëniet diplomatike me Etiopinë në nivel të ngarkuarit me punë. Arsye, sipas mediave serbe, është se autoritetet e shtetit afrikan janë futur në ambasadën e Serbisë dhe kanë marrë nën kontroll objektin në tetor të vitit 2020.

Objekti është histori në vete. Sipas portalit “Blic.rs”, është një prej më të bukurve në kryeqytetin Adis Abeba dhe ndodhet në rrugën që mban emrin e ish-presidentit të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Për këtë, edhe vet objekti është njohur si “shtëpia e Titos”.

Siç shkruajnë mediat serbe, ky objekt i ishte dhuruar Titos në shenjë mirënjohje, kur ai kishte vizituar këtë vend më 1959, por asnjëherë nuk është rregulluar dokumentacioni. Më vonë, pas ndërrimit të pushtetit në Etiopi, kërkesa e ish-Jugosllavisë për bartje të pronës ishte refuzuar, por ishte lejuar ta shfrytëzonte.

Tash, më 2020, Etiopia e ka marrë objektin tërësisht nën kontroll, duke thënë se e ka detyrim të mbrojë pronën e vet.

Mediat serbe shkruajnë se për këtë objekt, synime kanë edhe shtetet tjera të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë.