Botë

HRW: Libani dështoi t’i mbrojë banorët nga eksplodimi në depo

Zyrtarë të lartë libanezë ishin njoftuar për rreziqet që përbënte materiali eksplodues i ruajtur në depo për vite me radhë në portin e Bejrutit, porse nuk kishin ndërmarrë gjë për ta mbrojtur popullatën prej tij.

Ky vlerësim është nxjerrë në raportin e organizatës “Human Rights Watch” për shpërthimin e fuqishëm të vitit të kaluar në shtetin e Lindjes së Mesme. Po aty thuhet se të njëjtit zyrtarë tani po mundohen ta ndikojnë për keq hetimin.

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut ka bërë thirrje që të sanksionohen zyrtarët e përfshirë në këtë skandal dhe që të ketë hetim ndërkombëtar për zbardhjen e rastit.

Raporti është publikuar në njëvjetorin e shpërthimit të tmerrshëm të katër gushtit që dridhi Bejrutin, duke ua marrë jetën 2014 personave. Më shumë se gjashtë mijë të tjerë u lënduan, e mijëra shtëpi e biznese u shkatërruan.

Shpërthimi ishte shkaktuar nga zjarri i madh në depot e portit, ku ruheshin qindra tonelata nitrati.

Libani ende nuk u ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve të ngritura për rastin, si ajo se kush kishte urdhëruar dërgesën me kimikate të ruhej në port dhe pse zyrtarët i shpërfillën paralajmërimet e brendshme.