Botë

Irani mohon përfshirjen e dyshuar në sulmin ndaj anijes transportuese izraelite

Descriptive Text

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, mohoi akuzat se Irani kishte gisht në sulmin ndaj anijes që i përkiste një kompanie izraelite në Oqeanin Indian.

Në një konferencë shtypi të mbajtur nëpërmjet internetit, Khatibzadeh reagoi ndaj autoriteteve izraelite, të cilat e konsiderojnë Iranin përgjegjës për sulmin ndaj anijes tregtare të kompanisë së anijeve izraelite në Oqeanin Indian në rrugën e saj nga Tanzania për në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme tha: "Regjimi sionist duhet të heqë dorë nga akuzat e tij se Teherani kishte gisht në sulmin ndaj anijes izraelite. Ne dënojmë deklaratat dhe akuzat në këtë drejtim. Izraeli solli paqëndrueshmëri dhe terror kudo që shkoi".

Ndërkaq, siç u raportua, vdiqën dy nga anëtarët e ekuipazhit të anijes që i përkiste kompanisë izraelite, e cila u sulmua më 30 korrik në Oqeanin Indian, gjatë rrugës nga Tanzania për në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një deklaratë të bërë nga Zodiac Maritime Shipping Company me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, në pronësi të biznesmenit izraelit Eyal Ofer thuhet se "Ne mësuam me keqardhje të thellë se incidenti që ndodhi në anijen M/T Mercer Street rezultoi në vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit, të cilët ishin një shtetas rumun dhe një britanik".

Televizioni shtetëror iranian në gjuhën arabe Al-Alam njoftoi se sulmi u krye në shenjë hakmarrjeje për sulmin ajror të administratës së Tel Avivit në Siri javën e kaluar.

Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, duke aluduar se Irani ishte prapa sulmit në anijen që i përkiste kompanisë izraelite të anijeve tha se,"Irani nuk është vetëm një problem izraelit, por është një burim terrori, shkatërrimi dhe paqëndrueshmërie që na dëmton të gjithëve".