Botë

100.000 fëmijë në Etiopi mund të vdesin nga uria brenda 12 muajve

Descriptive Text

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka thënë se më shumë se 100.000 fëmijë në rajonin verior të Etiopisë, Tigray, mund të vdesin nga uria në 12 muajt e ardhshëm, një rritje 10-fish më e madhe sesa shifrat normale.

Zëdhënësja e UNICEF-it, Marixie Mercado, tha se një në dy gra shtatzëna në Tigray ishin të kequshqyera rëndë.

"Frika jonë më e keqe për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve... po konfirmohet", tha ajo në një konferencë në Gjenevë.

Zëdhënësit e kryeministrit dhe një grup pune qeveritar në Tigray - ku luftimet midis forcave rebele rajonale dhe federale kanë vazhduar që nga nëntori - nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi deklaratën e UNICEF-it.

Agjencitë e ndihmës thonë se do të fillojnë me formulën për t’i trajtuar 4.000 fëmijë të kequshqyer rëndë çdo muaj.

Të paktën tre fëmijë kanë vdekur në spitalin Wukro të Tigray që nga shkurti, tha infermierja Tsehaynesh Gebrehiwot. Të gjithë vdiqën ditën që shkuan në spital.

Në Spitalin e Përgjithshëm, Adigrat, më në veri, u konfirmua edhe vdekja e tre fëmijëve të tjerë të kequshqyer.

Mjekët në të dy spitalet thanë se kishin parë katër deri në 10 fëmijë të kequshqyer çdo muaj para shpërthimit të konfliktit në nëntor. Tani numrat janë dyfishuar.

OKB thotë se rreth 400.000 njerëz po jetojnë në mungesë për ushqim në Tigray, dhe më shumë se 90 për qind e popullsisë ka nevojë për ndihmë urgjente ushqimore.