Shefi i mëparshëm i Shtëpisë së Bardhë bëhet e ditur se ka ushtruar presion mbi dy ish-zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Drejtësisë, në mënyrë që ata të deklaronin rrejshëm se zgjedhjet presidenciale të vitit të shkuar ishin manipuluar dhe që ai të mund ta rikthente postin presidencial
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka ushtruar presion mbi zyrtarët kryesorë të Departamentit të Drejtësisë për të deklaruar rrejshëm se zgjedhjet e 2020-s ishin të manipuluara. Krejt kjo, sipas disa memoareve të porsapublikuara, kishte për synim që ai dhe aleatët e tij në Kongres të mund t’i përmbysnin rezultatet dhe që Trumpi të rikthehej në detyrë.
“Vetëm thuaj se zgjedhjet ishin të manipuluara (dhe) tjerat lërmi mua”, i ka thënë ish-presidenti ushtruesit të mëhershëm të detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Jeffrey Rosen, dhe zëvendësit të tij, Richard Donoghue. Citatet janë pjesë e memoareve të siguruara nga komiteti për mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve, ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”. Shënimet janë marrë nga Donoghe, i cili ka dokumentuar telefonatën e 27 dhjetorit midis Trumpit dhe Rosenit.
Kërkesa e Trumpit paraqet një instancë të pazakontë, në të cilën një president synon që të ushtrojë ndikim mbi agjencinë që supozohet të operojë e pavarur prej Shtëpisë së Bardhë, me qëllim të avancimit të interesave dhe agjendës së tij politike. Është njëherësh shembulli më i fundit i fushatës së gjithmbarshme të ndërmarrë nga Trumpi gjatë javëve të fundit të tij si president, për t’i minuar rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s, të cilat ai i humbi kundruall presidentit aktual amerikan, Joe Biden, në garën e shënuar me akuza të vazhdueshme për mashtrime me vota.
Në telefonatën e dhjetorit, Guardian raporton se Donoghue i ka thënë Trumpit që Departamenti i Drejtësisë nuk ka kompetenca për ta ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, të cilit pretendim ish-presidenti i është përgjigjur se ai nuk ka pritje të tilla, porse ai dhe aleatët e tij në Kongres do t’i avancojnë pretendimet rreth mashtrimeve me vota.
Trumpi nuk i ka përmendur specifikisht pjesëtarët e Kongresit që janë pjesë e planit të tij, por në raste të caktuara gjatë bisedës u referohet republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan dhe Scott Perry, si dhe përfaqësuesit republikan në Senat, Ron Johnson, i cili ishte mbrojtësi i tij më i zëshëm në Capitol.
“Memoaret e Donoghues, të cilat i janë dorëzuar Komitetit për Rishikim që po i heton Trumpin dhe sulmin e 6 janarit në Konfres, i ndërlidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë republikanët kyçë me fushatën e tij të dezinformimit për zmbrapsjen e paligjshme të rezultatit të zgjedhjeve”, ka shkruar gazeta britanike.
Në bisedën e dhjetorit, shënimet tregojnë se që të dy zyrtarët nën presion i janë kundërvënë Trumpit, i cili në një pikë, pretendon se ka pasur mashtrime të gjithmbarshme zgjedhore në Georgia, Michigan, Nevada dhe Arizona. Këto mashtrime ai i përshkroi me termin “zgjedhje të korruptuara”, një vlerësim ky që ka nxitur menjëherë dënimin nga Donoghue.
“Pjesa më e madhe e informatave që po i siguroni janë të rreme”, i ka thënë Donoghue Trumpit, duke shtuar se Departamenti i Drejtësisë ka ndërmarrë me dhjetëra hetime rreth pretendimeve të tij, por se nuk ka evidentuar saktësi. “I kemi shikuar pretendimet, por nuk përkojnë”.
Mirëpo Trumpi, i palëkundur dhe qartazi i shqetësuar për largimin e tij pasues nga detyra, vazhdoi duke thënë: “OK, në rregull – por çfarë ndodh me të tjerët”, thuhet në dokumente, duke specifikuar se ish-presidenti me këtë u referohej konspiracioneve të tij rreth mashtrimeve në Georgia. “S’ka mbetur shumë kohë”, ka shtuar ai, raporton Guardian.