Botë

Turqia kërkon 15 vjet burgim për pronarin e aplikacionit të lidhur me puçin

Autoritetet turke kanë kërkuar dënim deri në 15 vjet burgim për pronarin e “ByLock”, aplikacion ky i mesazheve të koduara, që Ankaraja pretendon se ishte përdorur nga grupi i fajësuar për tentim puçin ushtarak të 2016-s.

Shtetasi amerikan me prejardhje turke, David Keynes, akuzohet nga autoritetet se qëndron prapa aplikacionit të mesazheve të koduara. Ai u është dorëzuar autoriteteve në Stamboll muajin e shkuar dhe është vënë në mbajtje që atëherë.

Agjencia turke e lajmeve “Anadolu” ka raportuar se autoritetet kanë arrestuar me mijëra përdorues apo persona që kanë poseduar “Bylockun”, ndërsa qindra e mijëra të tjerë janë shkarkuar, pezulluar apo arrestuar në masat e shtypjes të ndërmarra nga Qeveria pas puçit. Për ngjarjet e korrikut të 2016-s, Turqia mban përgjegjës rrjetin e imamit Fethullah Gylen.

Ankaraja e shpalli të jashtëligjshëm aplikacionin “Bylock”, duke bërë të ditur se pasuesit e Gylenit e kishin përdorur atë për të komunikuar natën kur një grup ushtarësh bënë përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë. Grupet e të drejtave të njeriut dhe fuqitë perëndimore janë shprehur të alarmuara për shtypjen, duke specifikuar se presidenti Rexhep Tayyip Erdogan e ka përdorur grusht shtetin e dështuar si pretekst për t’i shuar kundërshtimet.