Botë

Ligji për gjenocidin nxit krizë të re politike në Bosnjë

Me ndryshimet e reja të imponuara nga përfaqësuesi i lartë i OKB-së, Valentin Inzko, parashihet edhe dënimi me mbi pesë vjet burgim për këdo që e mohon gjenocidin ose i lavdëron kriminelët e luftës. Dodiku gjatë gjithë fundjavës ka thënë se vendimi i Inzkos duhet të shërbejë si shtytje përfundimtare për ndarje të tokave të serbëve të Bosnjës

Përfaqësuesit e serbëve të Bosnjë-Hercegovinës kanë nxitur pezullimin e seancës së planifikuar për ditën e martë të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit, pas zotimit të tyre për ta bllokuar vendimmarrjen në institucionet e vendit në shenjë proteste ndaj vendimit të emisarit ndërkombëtar për ta cilësuar shkelje ligjore mohimin e gjenocidit.

Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së përbashkët boshnjake, ka thënë se serbët e Bosnjës nuk do të jetojnë në një vend ku një ligj imponohet vetëm nëpërmjet publikimit në Gazetën Zyrtare. Dodiku ka folur pas takimit të liderëve të të gjitha partive politike të serbëve të Bosnjës për të diskutuar lidhur me vendimin e së premtes të përfaqësuesit të lartë të OKB-së për Bosnjë, Valentin Inzko, për ndryshimin e Kodit Penal.

Me ndryshimet e reja parashihet edhe dënimi me mbi pesë vjet burgim për këdo që e mohon gjenocidin ose i lavdëron kriminelët e luftës. Dodiku gjatë gjithë fundjavës ka thënë se vendimi i Inzkos duhet të shërbejë si shtytje përfundimtare për ndarje të tokave të serbëve të Bosnjës nga pjesa tjetër e vendit.

Liderët e serbëve të Bosnjës kanë thënë pas takimit se vendimi i Inzkos është i papranueshëm dhe i shmangshëm, duke paralajmëruar se do ta kundërshtojnë me bojkotim të punës së Presidencës multietnike, Parlamentit dhe Qeverisë. Më shumë se tetë mijë djem e burra myslimanë të Bosnjës u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën e Srebrenicës, që shumë shtete, përfshirë Kosovën, e njohin si gjenocid.

Sipas Marrëveshjes së Paqes të Daytonit, me të cilën iu dha fund luftës ndëretnike të viteve 1992-95 në Bosnjë, vendi është ndarë në dy entitete me autonomi të lartë, në Republikën Serbe, dhe në Federatën e Kroatëve dhe Boshnjakëve. Dy entitetet lidhen nëpërmjet institucioneve të përbashkëta dhe të gjitha vendimet në nivelin shtetëror duhet të arrihen me konsensus të tri grupeve etnike.

Si diplomati më i lartë që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes paqësore, përfaqësuesi i lartë ka autoritetin për të imponuar ligje ose për të shkarkuar zyrtarë, të cilët minojnë baraspeshën etnike të pasluftës dhe përpjekjet për pajtim. Në vitet e para pas luftës, bashkësia ndërkombëtare e detyroi Bosnjën të reformonte sistemin, duke i detyruar liderët të pranonin kompromise të dhimbshme në këmbim të përkrahjes financiare.

Por gjatë dekadës së kaluar, me devijimin e vëmendjes në kriza të tjera botërore, Bosnja është lënë në zgrip. Kjo i ka trimëruar liderët e serbëve të Bosnjës, veçmas Dodikun, që të shtojnë thirrjet për të kontestuar ekzistencën e shtetit të Bosnjës. Ata madje i kanë mohuar vazhdimisht krimet e kryera mbi baza etnike në kohën e luftës. Kanë mohuar edhe masakrën e Srebrenicës, gjenocidi i vetëm i pranuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi i kanë shpallur gjenocid vrasjet e më shumë se tetë mijë boshnjakëve nga serbët e Bosnjës në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicë. Por serbët e Bosnjës dhe Serbia fqinje refuzojnë ta pranojnë si gjenocid.

Serbët e Bosnjës kanë nderuar liderin e tyre të luftës, Radovan Karaxhiq, dhe komandantin ushtarak, Ratko Mladiq, si heronj, megjithëse të dytë janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid nga Tribunali i Hagës. Murale me portrete të Karaxhiqit dhe Mladiqin mund të shihen në pjesën serbe të Bosnjës.