Botë

Serbët e Bosnjës bllokojnë punën e institucioneve pas Ligjit për gjenocidin

Kolegjiumi i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit në Bosnjë e Hercegovinë, ka anuluar seancën e planifikuar për ditën e martë, pasi përfaqësuesit e serbëve janë zotuar që të bllokojnë vendimmarrjen në institucionet e vendit në shenjë proteste ndaj vendimit të emisarit ndërkombëtar për ta cilësuar shkelje ligjore mohimin e gjenocidit. Milorad Dodik, anëtar serb i Presidencës së përbashkët boshnjake, ka thënë se serbët e Bosnjës nuk do të jetojnë në një vend ku një ligj imponohet vetëm nëpërmjet publikimit në gazetën zyrtare.

Dodiku ka folur pas takimit me liderët e të gjitha partive politike të serbëve të Bosnjës për të diskutuar lidhur me vendimin e së premtes të përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Bosnjë, Valentin Inzko, rreth ndryshimit të Kodit Penal. Me ndryshimet e reja parashihet edhe dënimi prej mbi pesë vjetësh burgim për këdo që e mohon gjenocidin ose i lavdëron kriminelët e luftës.

Gjatë gjithë fundjavës Dodik ka pretenduar se vendimi i Inzkos duhet të shërbejë si shtytje përfundimtare për ndarje të tokave të serbëve të Bosnjës nga pjesa tjetër e vendit. Ndërkaq, liderët e tjerë të serbëve e kanë cilësuar vendimin si të papranueshëm dhe të shmangshëm. Më shumë se tetë mijë djem e burra myslimanë të Bosnjës janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën e Srebrenicës, që shumë shtete, përfshirë Kosovën, e njohin si gjenocid.