Botë

Rrezikohet demokracia në Tunizi pasi që presidenti e rrëzon Qeverinë

Tunizia përballet me krizën më të thellë në dekadën e saj të parë të demokracisë, pasi që presidenti Kais Saed ka rrëzuar sot Qeverinë dhe ka ngrirë aktivitetet e Parlamentit, një veprim që kundërshtarët e tij e kanë cilësuar si grusht shtet, duke bërë thirrje që njerëzit të dalin nëpër rrugë.

Presidenti ka thënë se ka shfrytëzuar të drejtat e tij kushtetuese për të shkarkuar kryeministrin Hishem Meçiqi dhe ka nxjerrë një dekret për të ngrirë veprimtarinë parlamentare për tridhjetë ditë.

Saed ka thënë se do ta qeverisë vendin bashkë me emërimin e një kryeministri të ri. Këto zhvillime kanë ardhur një ditë pas protestave kundër Qeverisë dhe partisë më të madhe parlamentare Enadës së moderuar islamike, për shkak të shtimit së rasteve me COVID-19 dhe ngritjes së zemërimit kundër mosfunksionimit politik dhe krizës ekonomike.

Vendimet e presidentit përbëjnë sfidën më të madhe politike për Tunizinë pas revolucionit të vitit 2011, që i dha hov Pranverës arabe dhe e rrëzoi autokracinë në favor të sundimit të rendit, por që nuk ia doli të sillte qeverisje e prosperitet.

Menjëherë pas vendimit të Saedit, turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në përkrahje të tij në kryeqytetin Tunis dhe në qytetet e tjera të mëdha, derisa ushtria ka bllokuar ndërtesën e Parlamentit dhe atë të televizionit shtetëror. Ministria e Jashtme gjermane ka shprehur shqetësimin e Qeverisë rreth përshkallëzimit të gjendjes në Tunizi.